Aeroporti i Frankfurtit: Anulohen dhjetëra fluturime për shkak të ngricës

Aeroporti i Frankfurtit anuloi dhjetëra fluturime këtë mëngjes për shkak të reshjeve të borës dhe ngricave, njoftoi kompania Fraport, e cila menaxhon aeroportin.

Nga 1,052 fluturimet e planifikuara për sot, 98 ishin anuluar herët në mëngjesin e sotëm (12/1), tha një zëdhënës i Fraport për Agjencinë Gjermane, duke shtuar se numri mund të rritet në varësi të kushteve të motit.

Ekipet e emergjencave janë vendosur në të gjithë aeroportin, ndërsa 34 automjete për shkrirjen e akullit po operojnë në vendet e parkimit të avionëve. Pasagjerëve u këshillohet të kontrollojnë statusin e fluturimit të tyre përpara se të shkojnë në aeroport dhe të lënë kohë shtesë për udhëtimin e tyre, duke pasur parasysh kushtet e motit.

Udhëtarëve u kërkohet gjithashtu të mbërrijnë në terminal të paktën tre orë para nisjes. Shërbimi kombëtar meteorologjik i Gjermanisë, DWD, ka lëshuar paralajmërime për kushte ngrirjeje në disa pjesë të shtetit të Hessen, ku ndodhet Aeroporti i Frankfurtit.