HETIM KREUT TË REZERVËS FEDERALE! Prokurorët federalë nisin hetim penal ndaj Jerome Powell

Prokurorët federalë kanë hapur një hetim penal ndaj kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell, lidhur me dëshminë e tij për rinovimin 2.5 miliardë dollarësh të selisë së institucionit që drejton. Powell e lidh hetimin me presionet e administratës Trump për uljen e normave të interesit, duke paralajmëruar rrezikun ndaj pavarësisë së bankës qendrore. Hetimi ka shkaktuar reagime të forta politike dhe shqetësim në tregjet financiare globale.

Prokurorët federalë në Shtetet e Bashkuara kanë hapur një hetim penal ndaj kryetarit të Rezervës Federale, Jerome Powell, lidhur me dëshminë e tij para Kongresit në qershor mbi projektin e rinovimit të ndërtesës qendrore të FED-it me vlerë 2.5 miliardë dollarë.

Lajmi ka sjellë një tronditje të fortë në Uashington dhe në tregjet financiare.

Powell reagoi me një deklaratë të jashtëzakonshme, duke thënë se hetimi është rezultat i presioneve të vazhdueshme politike nga administrata Trump, që synojnë të ndikojnë në vendimmarrjen mbi normat e interesit.

Ai theksoi se kërcënimi i akuzave penale vjen si pasojë e vendosmërisë së FED-it për të ruajtur pavarësinë dhe për të vendosur normat në bazë të të dhënave ekonomike.

Presidenti Donald Trump ka ushtruar prej më shumë se një viti presion të vazhdueshëm mbi Powell-in për uljen e normave, duke e kritikuar publikisht dhe duke deklaruar se nuk do ta rinemërojë në fund të mandatit.

Tensionet u shtuan pas akuzave për menaxhimin e rinovimit të ndërtesës së FED-it, projekt që administrata e cilësoi të keqmenaxhuar, ndërsa Powell këmbënguli se kostot ishin transparencë dhe se investimi ishte i domosdoshëm për sigurinë e objektit.

Reagimet politike ishin të menjëhershme. Demokratët akuzuan presidentin për sulm ndaj pavarësisë së bankës qendrore, ndërsa një senator republikan kërkoi bllokimin e çdo nominimi të ri për FED-in derisa të mbyllet hetimi. Ndërkohë, Trump mohoi çdo dijeni për hetimin, por kritikoi përsëri Powell-in për mungesë kompetence.

Kjo situatë vjen në një moment kritik, pasi presidenti pritet të zgjedhë pasuesin e Powell-it në muajt e ardhshëm. Analistët paralajmërojnë se konflikti mes Shtëpisë së Bardhë dhe Fed-it rrezikon të dëmtojë besimin në ekonominë amerikane dhe në pavarësinë e politikës monetare, një parim thelbësor për tregjet globale.