OSMANI: KOSOVA MË E FORTË! Presidentja: Vuçiç t’u kërkojë falje viktimave të luftës në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se për 5 vjet rresht ka qenë në vijën e parë të mbrojtjes së Kosovës dhe kundër propagandës së Serbisë. Ajo ka kërkuar sërish që presidenti serb Aleksandar Vuçiç të kërkojë falje për krimet e luftës, teksa ka bërë të ditur se Kosova ka arritur të rikonfirmojë rreth 20 njohje ndërkombëtare. Osmani paralajmëroi se edhe gjatë këtij viti që ka nisur priten njohje të reja.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka rikonfirmuar angazhimin e saj pesëvjeçar në mbrojtje të Kosovës dhe kundër propagandës së Serbisë, duke kërkuar sërish drejtësi për viktimat e luftës dhe duke prezantuar sukseset e diplomacisë kosovare.

Në Këshillin e Sigurimit, Osmani u bëri thirrje anëtarëve të komunitetit ndërkombëtar që ta vizitojnë Kosovën dhe të shohin nga afër demokracinë që, sipas saj, po lulëzon.

Ajo i kërkoi presidentit serb të përballet me të kaluarën dhe t’u kërkojë falje viktimave të luftës në Kosovë.

“Ju ftoj ta vizitoni Kosovën dhe të shihni përparimin dhe demokracinë që po lulëzon. Pastaj vendosni nëse do t’u besoni syve tuaj apo gënjeshtrave të Vuçiqit. Viktimat e atij regjimi janë këtu. Kërkojuni falje. Tregoni nëse ju ka mbetur qoftë edhe pak njerëzi.”

Në një intervistë të fundit, Presidentja bëri të ditur se Kosova ka arritur të rikonfirmojë rreth 20 njohje ndërkombëtare, të cilat Serbia pretendonte se ishin tërhequr.

Gjatë vitit 2025, Kosovën e kanë njohur Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet, duke e çuar numrin total të njohjeve në 121 shtete.