Trump: Irani kërkon negociata mes shtypjes vdekjeprurëse ndaj protestuesve

Mes protestave masive të vazhdueshme në të gjithë Iranin, në të cilat janë vrarë qindra njerëz, vendi i ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës të hapin negociata të reja, tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Duke folur në bordin e “Air Force One”, Trump u tha gazetarëve se udhëheqja iraniane e kishte thirrur atë për të negociuar një ditë më parë.

Ai shtoi se një takim me përfaqësuesit iranianë mund të organizohej, ndersa shtoi se SHBA-ja mund të duhet të veprojë paraprakisht duke pasur parasysh protestat e vazhdueshme në vend.

“Mendoj se ata janë të lodhur duke u rrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi ai, me sa duket duke iu referuar sulmeve izraelite ndaj programit bërthamor të Iranit vitin e kaluar, të cilat përfshinin mbështetjen ushtarake amerikane.

Trump nuk specifikoi se cilat tema do të mbulonin bisedimet. Vitin e kaluar, Teherani kishte zhvilluar diskutime indirekte me të dërguarin special të SHBA-së, Steve Witkoff, mbi programin e tij bërthamor të diskutueshëm.

Në kontekstin e një bllokade pothuajse totale të internetit nga qeveria në Iran, Trump gjithashtu sugjeroi që SHBA-ja mund të ndihmonte protestuesit të kishin akses në internetin satelitor.

I pyetur nëse do ta bënte të disponueshëm në Iran “Starlink”, shërbimin e internetit satelitor të operuar nga “SpaceX” në pronësi të miliarderit të teknologjisë Elon Musk, Trump tha se çështja ishte duke u shqyrtuar dhe SHBA-ja do të përpiqej të rivendoste aksesin në internet nëse ishte e mundur.

Ai shtoi se po planifikonte ta telefononte Musk.

“Do t’i godasim shumë rëndë, nëse ata fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën”, tha Trump më herët në një podcast.

Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me qendër në SHBA, të paktën 544 persona janë vrarë gjatë protestave masive në Iran gjatë 15 ditëve të fundit.