Ligji i “paqes fiskale” hyn në fuqi pa zhurmë, Tabaku: Amnisti fiskale për pastrimin e parave

Hyrja në fuqi e ligjit të ashtuquajtur “paqja fiskale” është bërë në heshtje dhe pa një akt publik firmosjeje, një fakt që, sipas deputetes së Partisë Demokratike Jorida Tabaku, tregon seriozitetin e dyshimtë dhe rrezikun e këtij ligji për ekonominë dhe shtetin ligjor.

Tabaku e cilëson ligjin si amnisti fiskale, duke paralajmëruar se ai legalizon dhe formalizon pastrimin e parave në Shqipëri, në një kohë kur fenomeni është i dokumentuar prej vitesh nga raporte ndërkombëtare, veçanërisht në sektorë si ndërtimi, lojërat e fatit dhe turizmi.

Sipas saj, problemi i ligjit nuk qëndron vetëm te e shkuara, por te pasojat për të ardhmen:
• krijon stimul për ekonominë informale,
• dërgon mesazhin se mospagimi i taksave shpërblehet,
• dhe minon rëndë konkurrencën e ndershme.

Tabaku thekson se ligji është thellësisht i padrejtë për bizneset që për vite me radhë kanë paguar taksa, apo që janë mbyllur sepse nuk kanë mundur t’i përballojnë detyrimet fiskale. Ndërkohë, sot u jepet mundësia të legalizohen atyre që kanë operuar në të zezë.

“Shqipëria nuk mund të shndërrohet në një vend ku paratë e pista gjejnë strehë ligjore,” nënvizon Tabaku, duke e cilësuar këtë ligj si një nga rreziqet më serioze për ekonominë formale dhe besimin publik.