Protesta e 24 janarit / Berisha: Qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës, Shqipëria nuk do t’i shohë më me sy
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se protesta e paralajmëruar për datën 24 janar do të ketë si kërkesë kryesore dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në një komunikim me gazetarët, Berisha theksoi se qytetarët janë të vendosur dhe se pakënaqësia ndaj qeverisë ka arritur nivele të larta.
I pyetur nëse ekziston një skenar i përcaktuar për zhvillimin e protestës, Berisha u shpreh se do të ketë transparencë të plotë dhe se çdo hap do të komunikohet publikisht. Sipas tij, detajet e protestës do të bëhen të ditura në vijim.
“Dorëheqja, dorëheqja, vetëm dorëheqja. Kjo është e gjithë puna. Shqipëria nuk do më t’i shohë me sy këta njerëz, pasi kanë fituar një urrejtje të madhe,” deklaroi Berisha.
Protesta e 24 janarit pritet të mbledhë qytetarë nga e gjithë Shqipëria, ndërsa Partia Demokratike e konsideron këtë reagim si një shprehje të pakënaqësisë së thellë ndaj qeverisjes aktuale.
