PD THËRRET PROTESTË MË 24 JANAR! Berisha “zbardh” mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë

Kryesia e Partisë Demokratike ka caktuar datën se kur do të mbahet protesta e dytë kombëtare.

Mësohet se është zgjedhur data 24 janar, ndërsa ora nuk është vendosur ende.

Ky vendim është marrë gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së që u mbajt ditën e sotme në ambientet e selisë.

Kryedemokrati Sali Berisha në përfundim të mbledhjes, u shpreh se tashmë qytetarët do jenë ata që do të vendosin fatin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij.

PRONONCIMI I BERISHËS

Pyetje: Zoti Berisha, a keni një skenar për protestën e 24 janarit apo është ende herët dhe takimet e mëtejshme do të përcaktojnë edhe se si do të zhvillohet kjo protestë? Pra a do të ketë një qëndrim të qytetarëve në shesh?

Sali Berisha: Nuk do të gjeni kurrë, kurrë një njeri transparent si unë. Në komunikatë, jo. Gjeni ju, ku i keni? Ku është, ku janë të tjerët? Pra unë çdo ditë u them ju atë që kam ndërmend të bëj, e ndonjëherë edhe gjëra që janë projekte. Kështu që, ose që do bëhen. Pra, në moment, unë do ju informoj ju për të gjitha gjërat.

Pyetje: Çfarë do të kërkohet me 24 janar, zoti Berisha?

Sali Berisha: Dorëheqja, dorëheqja, vetëm dorëheqja. Kjo është e gjithë puna. Shqipëria nuk do, nuk do më t'i shohë me, nuk do më t'i shohë me sy të ballit këta njerëz, a kupton. Nuk do, ka fituar urrejtje të madhe.