"Kështu ndodh kur i hidhni shishet plastike si lopa ba*gën"/ Shqipëria nën pushtetin e ujit, Rama: U përmbyt edhe Stambolli!

Kryeministri Edi Rama ka nisur episodin e radhës të podcastit “Flasim” ku së pari foli në lidhje me situatën e rëndë ku vendi ynë është prej ditësh tashmë me përmbytjet.

“Nuk ka prekur vetëm vendin tonë, të paktën jo për arsyet që ziejnë tenxheret mediatike por një hartë të gjerë, deri në Stamboll ku kishte pamje apokaliptike.

Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me një valë të ngrohtë nga Mesdheu që ka sjellë këtë situatë.

Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm verëra të nxehta, por edhe stinë të pa qendrueshme dhe mot këmbëngulës.

Më shumë zjarre dhe përmbytje, është tashmë një kuadrat I ri I klimës ku jetojmë, por jam krenar që në çdo situatë emergjence jemi më të përgatitur falë investimeve të bëra”, tha ai.

DEKLARATA E RAMES

Kjo javë ka qenë tejet e ngarkuar me reshje e me dëborë, një gjendje atmosferike e zgjatur dhe e rëndë, e cila nuk ka prekur thjesht Shqipërinë për ndonjë arsye të lidhur me vendin tonë, nga ato arsyet që ziejnë në 700 tenxheret politike mediatike të mexhelisit shqiptar, por ka prekur një hartë të tërë nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë e deri lart në Serbi, në Kroaci, e nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku Stambolli përjetoi një situatë filmash apokaliptikë, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë e të njëjtat përmbytje e bllokime, kanë krijuar të njëjtën situatë psikologjike për njerëzit. 

Një masë ajri e ftohtë nga veriu është përplasur me ajër të ngrohtë e të lagësht nga Mesdheu, dhe ka krijuar pikërisht këtë vorbull atmosferike mbi Evropën Juglindore, duke sjellë reshje të vazhdueshme dhe temperatura të ulëta.

Prandaj edhe lumenjtë rriten përsëri para se të bien.

Prandaj edhe toka mbetet e ngopur me ujë.

Prandaj edhe reshjet e shiut e të dëborës marrin përmasa anormale.

Ndryshimi klimatik nuk do të thotë vetëm vera më të nxehta, por do të thotë stinë të çrregullta, sisteme atmosferike të ngadalta, ku nuk ka qarkullim normal të këtyre flukseve, prandaj edhe krijohen vorbulla dhe pastaj të papriturat e një moti  më ekstrem e më këmbëngulës në atë ekstremitetin e vet.

Më shumë thatësira e më shumë zjarre, më shumë vorbulla atmosferike e më shumë përmbytje, është tashmë një kuadrat i ri i klimës ku jetojmë, e cila nuk është më klima ku jemi rritur. 

Por, unë jam shumë krenar për faktin se në çdo situatë emergjence, ne jemi më të gatshëm, më të përgatitur, më efikasë, falë investimeve masive që kemi bërë gjatë kësaj dekade, rreth çerek miliardë euro në infrastrukturën e kullimit e të mbrojtjes, si edhe falë investimit në strukturën e Emergjencave Civile, që sot kanë skuadra të stërvitura, pajisje bashkëkohore e çdo vit më shumë mjete. 

Një fakt: Të dalësh nga kjo vorbull atmosferike me vetëm 13 mijë e 160 hektarë të mbuluara nga uji, është realisht një ngushëllim shumë i madh dhe një tregues se jetojmë në një Shqipëri tjetër, sepse kjo vorbull deri 10 vjet më parë do kishte përmbytur e papenguar dy apo trefishin e kësaj sipërfaqeje, sikundër edhe ka ndodhur.

Ama përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë sëreshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet.

Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq.

Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh.

Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unënuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull!

Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janëtë neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës.

Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend, jo atdheu ynë i përbashkët, po një kosh plehrash në një territor që s’na përket me të cilin s’kemi lidhje, ku, kudo ku na teket, lëshojmë si lopa bajgat, mbetjet e konsumit tonë, është diçka, që e mbulon tamam me bajga flamurin e pavarësisë tonë si shtet, librin e historisë së përpjekjeve tona shekullore si komb për të jetuar në shtetin tonë, fytyrën e secilit prej nesh si njerëz të këtij populli e si qytetarë të Europës, që mbajmë emrin shqiptar, të cilin e mbajmë me të drejtë me krenari në shumë raste, të cilin e ndiejmë me të drejtë si vërtetë fjalën kyçe që na bën të ndihemi krenarë kur je në stadium, por të cilin e përdhosim, emrin shqiptar, duke përdhosur Shqipërinë, duke përdhosur natyrën e Shqipërisë, duke përdhosur fytyrën e Shqipërisë.

Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim,por edhe ndëshkim po ashtu.

Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, KRIM.