PAMJET/ “Muzeu Lëvizës” angazhon të rinjtë në Pukë për trashëgiminë kulturore

Projekti “Muzeu Lëvizës” solli trashëgiminë kulturore më pranë komunitetit të Pukës, duke bashkuar Qendrën Kulturore “Qoshe Kulture” me Muzeun Historik Kombëtar.

Aktiviteti, i hapur për publikun dhe nxënësit e qytetit, kishte për qëllim angazhimin e të rinjve në interpretimin e historisë vendore dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

Drejtoresha e MHK, Elenita Roshi tha për ATSH-në se projekti përfshin gjashtë qytete, 3 në Veri të vendit dhe 3 të tjera në Jug.

Aktivitetet janë programuar, në Mirditë, Pukë, Kukës, Lushnjë, Dimal dhe në Bashkinë e Roskovecit, ku do të ketë takime me nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, për t’i edukuar e ndërgjegjësuar mbi nevojën e studimit të Muzeologjisë si dhe t’u tregohet roli i objektit muzeor në shpjegimin e historisë e kulturës së një kombi.

“Nxënësit nxiten të mësojnë historinë nëpërmjet objekteve që kanë trashëguar në familjet e tyre dhe se si t’i regjistrojnë këto objekte, duke krijuar pasaportën e objektit muzeor”, u shpreh Elenita Roshi.

PAMJET/ “Muzeu Lëvizës” angazhon të rinjtë

Aktualisht aktivitetet janë organizuar në Mirditë, Pukë dhe Bashkinë e Dimalit, ku ka pasur pjesëmarrje të lartë, veçanërisht në Mirditë ku pjesëmarrësit sollën shumë objekte të zbuluara në familjet mirditore.

Drejtoresha e Muzeut Historik Kombëtar, mes qindra të rinjve që takoi në këto aktivitete, veçoi një djalë nga Puka, Bleartin, të cilin e vlerësoi si një fëmijë të talentuar dhe i vetmi që shprehu dëshirën të studiojë Histori.

Elenita Roshi falënderoi nxënësit e shkollave të Rreshenit  si dhe nxiti të tjerët të kuptojnë rëndësinë e muzeologjisë në ruajtjen e shpalosjen e vlerave kombëtare.

Në aktivitet u prezantuan dy komponentë kryesorë:

PAMJET/ “Muzeu Lëvizës” angazhon të rinjtë

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar”, që ofron një udhëtim mes vlerave më të çmuara të historisë sonë;

Miniekspozita “Muzeu Im – Një Dritare drejt së Kaluarës”, ku nxënësit prezantuan objekte nga zona e Pukës të mbledhura nga qytetari Përparim Laçi, duke krijuar ura dialogu mes brezave të komunitetit.

Të rinjtë, mësuesit, prindërit dhe banorët e Pukës patën mundësinë të njihen me trashëgiminë kombëtare dhe lokale përmes këtij formati edukativ.

Aktiviteti u realizua me mbështetjen e Balkan Museum Network dhe donatorit Headley Trust UK, në kuadër të Headley South East Europe Cultural Heritage Fund.