Situata në Qarkun Elbasan/ Reshje shiu dhe dëbore
Gjatë ditës së sotme, moti në qarkun Elbasan vijon me reshje shiu me intensitet të ulët dhe të mesëm, ndërsa në lartësi mbi 600 metra kanë filluar reshjet e dëborës. Sipas Stacionit Meteorologjik Elbasan, gjatë natës kanë rënë 17 mm shi.
Nga informacioni i marrë nga sallat operative të bashkive dhe policisë, rezulton se:
Në Bashkinë Elbasan, dëbora ka prekur Njësitë Administrative Labinot Mal, Gjinar, Funarë e Zavalinë me trashësi deri në 5 cm, por qarkullimi vijon pa probleme.
Përroi i Zaranikës ndodhet mbi kuotat mesatare, ndërsa Lumi Shkumbin ka pasur një rritje të konsiderueshme të prurjeve krahasuar me dje.
Në Bashkinë Cërrik, mbrëmjen e djeshme janë ndërhyrë pranë stacionit elektrik tek ish-uzina e naftës për të larguar sasi të konsiderueshme uji, me dy zjarrfikëse, njëra prej tyre në mbështetje të MZSH Elbasan.
Në Bashkinë Belsh, liqeni kryesor ka dalë nga shtrati, ndërsa portat e shkarkimit janë hapur. Segmenti rrugor Belsh–Trojas është i bllokuar për shkak të ujërave të shkarkuar nga diga e Trojasit.
Në aksin rrugor Elbasan–Qafë Thanë, reshjet e dëborës kanë nisur, duke bërë qarkullimin më të ngadaltë.
Në furnizimin me energji elektrike ka pasur stakime dhe defekte në zonat malore të Librazhdit (Nj.A Stbeleve, Orenjes), në Nj.A Skënderbegas dhe Kukur të Bashkisë Gramsh dhe në Nj.A Klos e Mollas të Bashkisë Cërrik.
Autoritetet i bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes në qarkullim dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve për situata emergjente.