Vr*u mikun e tij për para, jepet dënimi për Isuf Hasën

Gjykata e Tiranës ka dënuar më 10 dhjetor me 25 vite burg Isuf Hasën, autorin e vrasjes së Xhemal Metës, ngjarje e ndodhur në fshatin Shëngjin i Vogël, Qafmollë. Autori dhe viktima kishin qenë miq prej vitesh dhe jetonin në të njëjtin fshat.

Sipas hetimeve, Xhemal Meta mbante gjithmonë me vete një sasi parash, fakt i njohur nga Isuf Hasa. Më 13 janar 2025, Hasa ka shkuar në banesën e viktimës për të pirë kafen e mëngjesit, siç e kishin zakon, duke marrë me vete një çekic. Pasi kanë konsumuar kafen, të dy kanë dalë nga banesa, pasi Meta do të nisej drejt Tiranës.

Në këtë moment, Isuf Hasa e ka goditur viktimën me çekic pas koke, duke i shkaktuar vdekjen. Më pas, ai i ka marrë paratë që Meta mbante me vete dhe është larguar drejt Tiranës, ku paratë dhe mjeti i krimit janë çuar në banesën e vajzës së tij.

Trupi i pajetë i Xhemal Metës u gjet në oborrin e banesës nga familjarët, të cilët njoftuan menjëherë policinë. Pas hetimeve dhe procesit gjyqësor, Gjykata e Tiranës e shpalli Isuf Hasën fajtor dhe e dënoi me 25 vite burg.