Tiranë/ Disa persona të arrestuar për d*ogë, dh*në dhe vepra të tjera penale

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka zhvilluar një sërë veprimesh operative, duke finalizuar disa raste me arrestime, ndalime dhe procedime penale për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve ndaluan një 24-vjeçar të shpallur në kërkim për “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve”, si dhe arrestuan një 45-vjeçar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Po ashtu, nisi procedimi penal për një 28-vjeçar, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi kanabisi, që dyshohet se ishte blerë nga 45-vjeçari. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi edhe një tjetër sasi kanabisi pranë banesës së këtij të fundit.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme nisën procedim penal ndaj një shtetaseje të huaj, e dyshuar se ushtronte prostitucion në një apartament të marrë me qira.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike po punojnë për shoqërimin e një 34-vjeçari, i dyshuar për shpërndarjen në rrjetet sociale të një interviste të një 27-vjeçareje, pa pëlqimin e saj.

Policia e Tiranës ka referuar gjithashtu materiale në Prokurori për disa raste të dëmtimit të pronës, dhunës për motive të dobëta dhe dhunës në familje, ku janë proceduar ose ndaluar disa shtetas, përfshirë edhe persona të mitur.

Gjatë ditës së djeshme janë regjistruar edhe kallëzime për vjedhje motomjeti, largim nga banesa, si dhe dëmtime automjetesh dhe banesash. Policia po punon për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e plotë të rrethanave.

Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.