PARIS/ Ukraina dhe aleatët takohen me të dërguarit e SHBA-së në një përpjekje të re diplomatike

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se do të takohet sot me përfaqësuesit amerikanë në Paris, si pjesë e bisedimeve të nivelit të lartë me aleatët perëndimorë mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën.

Duke shkruar në mediet sociale pas mbërritjes në Paris, Zelensky tha se vizita e tij do të përfshijë diskutime me udhëheqësit e Koalicionit të të Gatshmëve, bisedime me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe një takim me anëtarët e ekipit negociator të SHBA-së.

Aleatët e Ukrainës po mblidhen në kryeqytetin francez për të diskutuar me SHBA-në mënyrat se si të mbështesin një armëpushim të mundshëm ose një zgjidhje paqeje në luftën e nisur nga Rusia gati katër vjet më parë.

Në takim pritet të marrin pjesë përfaqësues nga rreth 35 vende, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz.

“Kievi po mbështetet në hapat që mund të garantojnë siguri të vërtetë për popullin ukrainas”, shkroi Zelensky në X.

Ai u bëri thirrje sërish aleatëve të forcojnë mbrojtjen ajrore të Ukrainës, duke vënë në dukje se Rusia nuk i kishte ndaluar sulmet e saj ndaj civilëve dhe infrastrukturës së rëndësishme pavarësisht aktivitetit të madh diplomatik në javët e fundit.

Zelensky tha se e kishte diskutuar tashmë çështjen me presidentin francez Emmanuel Macron.

“Ky do të jetë takimi më përfaqësues i Koalicionit të të Gatshmëve deri më sot, ku do të marrin pjesë udhëheqës kombëtarë, krerët e organizatave ndërkombëtare, ministrat dhe ambasadorët”, tha ai.

“Ne po përgatisim hapa të rëndësishëm politikë”, shkroi Zelensky.

I dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit të SHBA-së, Donald Trump do të marrin pjesë në emër të Uashingtonit.

Koalicioni i të Gatshmëve është një grup vendesh perëndimore aleate me Kievin që po punojnë për t’i dhënë fund konfliktit.

Bisedimet e tyre pritet të përqendrohen në krijimin e një force shumëkombëshe për të siguruar paqen midis Rusisë dhe Ukrainës, të cilat kanë luftuar që kur Moska nisi një pushtim të plotë në shkurt 2022.

Diskutimet pritet gjithashtu të përqendrohen në mbështetjen për ushtrinë ukrainase, bashkëpunimin afatgjatë me Kievin për çështjet e mbrojtjes dhe mbështetjen për vendin në rast të sulmeve të reja nga fqinji i saj.

Macron ka planifikuar një konferencë për shtyp pas takimit.