SELFIE PËR RIVENDOSJEN E MARRËDHËNIEVE/ Xi Jiping pret Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung në Pekin

Një selfie miqësore mes presidentit të Koresë së Jugut dhe atij kinez, ishte treguesi rivendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve. Li Mung gjatë një vizite zyrtare në Pekin me Xi Jinping, foli për hapjen e një faze të re në bashkëpunimin dypalësh duke nisur me nënshkrimin e disa marrëveshjeve në teknologji, tregti dhe mjedis.

Presidenti i Koresë së Jugut ka bërë thirrje për një fazë të re në marrëdhëniet me Kinën gjatë një takimi me homologun Xi Jinping në Pekin, në kuadër të një vizite zyrtare katërditore.

Kjo është vizita e parë e një lideri koreano-jugor atje që nga viti 2019 dhe shënon një përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe, të cilat ishin përkeqësuar gjatë mandatit të presidentit të mëparshëm, Yoon Suk Yeol, i njohur për qëndrimet e tij kritike ndaj Pekinit.

Gjatë takimit, Lee Jae Myung,  theksoi se vizita përfaqëson një mundësi vendimtare për rivendosjen e plotë të marrëdhënieve dhe për hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi.

Lee: Unë besoj se të dy vendet tona mund të zgjerojnë bashkëpunimin horizontal dhe reciprokisht të dobishëm në përputhje me kohërat që ndryshojnë, të promovojnë paqen dhe stabilitetin në Gadishullin dhe të ecin përpara së bashku në një rrugë pragmatizmi dhe prosperiteti të përbashkët.

Të dyja palët nënshkruan disa marrëveshje në fushat e teknologjisë, tregtisë dhe mjedisit.

Takimi u shoqërua edhe me një moment simbolik, kur Lee dhe Xi bënë selfie së bashku. Presidenti koreano-jugor publikoi fotot në rrjetin social X, duke përmendur cilësinë e kamerës së një telefoni Xiaomi, dhuratë nga Xi.

Koreja e Jugut është aleate ushtarake e Shteteve të Bashkuara, por Kina mbetet partneri i saj më i madh tregtar. Ekspertët thonë se Lee po përpiqet të ruajë një balancë delikate diplomatike mes Pekinit, Uashingtonit dhe Tokios.

Një nga temat kryesore të diskutimit ishte edhe siguria në Gadishullin Korean. Lee kërkon bashkëpunimin e Kinës për të ushtruar presion ndaj Koresë së Veriut që të heqë dorë nga armët bërthamore.

Megjithatë, mbetet e paqartë se sa larg është e gatshme Kina të shkojë, pasi ajo është një nga mbështetëset kryesore të Phenianit.