SKANDAL SIGURIE NË ZVICËR/ Autoritetet zbulojnë neglizhencë pas zjarrit tragjik në resort

Autoritetet zvicerane kanë zbuluar se resorti ku ra zjarri tragjik në Crans-Montana nuk ishte inspektuar për sigurinë prej pesë vitesh. Nga zjarri humbën jetën 40 persona dhe 116 të tjerë u plagosën. Ndërkohë, komuniteti ka nderuar viktimat me një homazh simbolik në shpatet e skive.

Hetimet për zjarrin vdekjeprurës në resortin e skive Crans-Montana kanë nxjerrë në pah të dhana tronditëse sa i përket nivelit të kontrollit të siguruisë.

Kryetari i bashkisë, Nicolas Feraud, konfirmoi se bari i skive “La Constellation”, ku humbën jetën 40 persona dhe u plagosën 116 të tjerë, nuk ishte inspektuar për sigurinë prej 5 vitesh.

Në një konferencë për shtyp, ai pranoi se nuk ka një shpjegim për këtë neglizhencë, duke theksuar se përgjegjësia ndaj familjeve të viktimave është e pashmangshme.

 “Na vjen thellësisht keq për këtë. Ua kemi borxh familjeve dhe do ta pranojmë përgjegjësinë.”

Sipas autoriteteve, fishekzjarrët dyshohet se kanë shkaktuar zjarrin. Si masë urgjente, përdorimi i tyre është ndaluar në të gjitha ambientet publike të zonës. Një kompani e jashtme do të auditojë 128 lokale, ndërsa prokurorët zviceranë kanë nisur hetim penal ndaj menaxhimit të barit.

Në shenjë zie dhe solidariteti, dhjetëra skiatorë u mblodhën në shpatet e Crans-Montana dhe krijuan një formë zemre, një homazh prekës për 40 viktimat e tragjedisë që ka tronditur mbarë vendin.

Zvicra kërkon tani përgjigje dhe përgjegjësi për një nga katastrofat më të rënda të viteve të fundit në industrinë turistike.