SHBA NDRYSHON VAKSINIMIN E FËMIJËVE/ Kufizime për RSV, hepatitin, gripi dhe C*VID-19 me rekomandimin e mjekut
Shtetet e Bashkuara kanë tronditur politikat shëndetësore për fëmijët. Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka ulur ndjeshëm listën e vaksinave të rekomanduara për të gjithë fëmijët. Vendimi po shkakton debat të fortë mes qeverisë dhe mjekëve.
Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një ndryshim të madh në politikat e vaksinimit të fëmijëve.
Sipas udhëzimeve të reja të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, numri i sëmundjeve për të cilat fëmijët duhet të vaksinohen në mënyrë universale është ulur nga rreth 17 në 11.
Në listën e vaksinave që mbeten të rekomanduara për të gjithë fëmijët përfshihen fruthi, shytat, rubeola, poliomeliti, tetanosi, difteria, sëmundja pneumokoksike, Hib, papillomavirusi njerëzor dhe lija e dhenve.
Ndërsa vaksinat për hepatitin A dhe B, virusit respirator sincicial-RSV, dhe meningjitin do të rekomandohen vetëm për fëmijët me faktorë të veçantë rreziku.
Vaksinat për Covid-19, gripin dhe rotavirusin tashmë kalojnë në vendimmarrje të përbashkët mes mjekut dhe prindërve.
Presidenti Donald Trump e përshëndeti vendimin, duke thënë se ai bazohet në “standardin e artë të shkencës” dhe në praktikat e vendeve të tjera të zhvilluara.
Por komuniteti mjekësor reagoi ashpër. Kështu akademia Amerikane e Pediatrisë e cilësoi këtë vendim si të rrezikshëm dhe të panevojshëm, duke paralajmëruar se do të krijojë konfuzion dhe do të ulë mbrojtjen shëndetësore të fëmijëve.
Edhe senatori republikan dhe mjek Bill Cassidy tha se ndryshimi, pa transparencë të plotë shkencore, do të shkaktojë frikë dhe pasiguri tek prindërit dhe mjekët. Për momentin, sigurimet shëndetësore në SHBA do të vazhdojnë të mbulojnë vaksinat ekzistuese deri në fund të vitit 2025, ndërsa debati mbi shëndetin e fëmijëve dhe të ardhmen e vaksinimit po thellohet çdo ditë.
