REALI KËRKON MBROJTËSIN E DORTMUNDIT/ “Verdhezinjtë” kërkojnë 70 milionë euro për Schlotterbeck

Mediet gjermane raportojnë se Real Madridi kërkon mbrojtësin e krahut të majtë të Dortmundit, Nico Schlotterbeck. Por pengesë për këtë transferim mund të bëhet kërkesa e lartë e klubit gjerman, i cili e vlerëson kartonin e 26-vjeçarit rreth 70 milionë euro.

Real Madridi ka hyrë zyrtarisht në garë për një nga mbrojtësit më të vlerësuar të Bundesligës gjermane siç është Nico Schlotterbeck. Mediet gjermane raportojnë se madrilenët po e ndjekin nga afër situatën e mbrojtësit të majtë të Dortmundit, duke shtuar konkurrencën për kartonin e tij në merkato.

Sipas shtypit gjerman, ‘los blancos’ nuk janë i vetmi klub i interesuar për mbrojtësin 26-vjeçar. Edhe Barcelona, prej disa javësh, e ka konsideruar seriozisht mundësinë e transferimit të Schlotterbeck, ndërsa interesimi për të shtrihet edhe në klube të tjera të mëdha europiane.

Dortmundi, nga ana e saj, nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej shtyllave të repartit mbrojtës. Klubi verdhezi është i vetëdijshëm për vlerën e lojtarit dhe për këtë arsye, sipas raportimeve, kërkon një shumë që shkon afër 70 milionë eurove për të pranuar largimin e tij.

Kjo shifër e lartë justifikohet edhe nga fakti se Schlotterbeck ka kontratë me Dortmundin deri në vitin 2027, çka i jep klubit gjerman një pozicion të fortë negociues. Për më tepër, ai është një element thelbësor në skemat e trajnerit Niko Kovaç dhe një lider i mbrojtjes së skuadrës.

26-vjeçari po kalon një sezon të qëndrueshëm duke regjistruar deri tani 18 paraqitje në të gjitha kompeticionet, me 1 gol dhe 2 asistime, shifra që konfirmojnë jo vetëm sigurinë e tij në mbrojtje, por edhe kontributin në fazën sulmuese.

Galaktikët të cilët prej kohësh po kërkon përforcime në prapavijë, e sheh Schlotterbeck si një profil ideal për të ardhmen, falë moshës, përvojës ndërkombëtare dhe aftësisë për të luajtur në nivele të larta.

Megjithatë, çmimi i kërkuar nga Dortmundi pritet të jetë një pengesë serioze për çdo klub të interesuar.

Në javët në vijim pritet të shihet nëse interesimi i gjigantëve spanjollë do të konkretizohet në oferta zyrtare, apo nëse  Dortmundi do të arrijë ta mbajë një nga asetet e saj më të çmuara në “Signal Iduna Park”.