Sopoti, fshati i Tropojës që jeton mes heshtjes dhe vetmisë!

Bashkim Musta është një nga fermerët e paktë që ka zgjedhur të qëndrojë në fshat. Ai mban një fermë me rreth 30 krerë gjedhë, nga të cilat siguron të ardhura për familjen. Megjithatë, për të mbijetuar ekonomikisht, shpesh detyrohet të punojë sezonalisht në Itali si murator.

Një tjetër banor është Shpëtim Halilaj, i cili prej më shumë se 30 vitesh merret me blegtori. Të imtat që mban janë arsyeja kryesore pse ai ende nuk e ka braktisur Sopotin, ndonëse fshati po shkon drejt zbrazjes së plotë.

Banorët thonë se mungesa e mbështetjes nga shteti, subvencionet e pamjaftueshme dhe emigrimi i fëmijëve kanë shuar interesin për bujqësinë dhe blegtorinë.

Si pasojë, shumë toka bujqësore kanë mbetur djerrë dhe aktiviteti ekonomik është reduktuar ndjeshëm.

Në Sopot, ashtu si në shumë zona rurale të Tropojës, blegtoria po shuhet paralelisht me fshatin.

Ata pak fermerë që kanë mbetur janë dëshmitarë dhe mbartës të një tradite që po lufton për të mbijetuar mes braktisjes dhe mungesës së perspektivës./Syri