90 MLN EURO NGA KOSOVA/ Investimet e huaja direkte në ekonomi kapën vleren 449 milionë
Plot 90 milionë euro ka arritur vlera e investimeve nga Kosova në ekonominë shqiptare, duke u trefishuar gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025. Pas Kosovës renditen Italia, Holanda dhe Turqia, ndërsa Serbia ka investuar vetëm rreth 3 milionë euro në periudhën janar–shtator.
Investimet e bizneseve nga Kosova në Shqipëri u trefishuan gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, duke u rritur nga 38 milionë në 90 milionë euro, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë.
Kjo rritje sinjalizon një besim në rritje të kapitalit kosovar ndaj ekonomisë shqiptare.
Në të njëjtën periudhë, investimet totale direkte në Shqipëri u rritën nga 361 milionë euro në tremujorin e parë, në 398 milionë në tremujorin e dytë dhe 449 milionë euro në tremujorin e tretë.
Përveç Kosovës, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar investime të konsiderueshme nga Italia me 48 milionë euro, e ndjekur nga Holanda me 45 milionë dhe Turqia me 39 milionë euro.
Zvicra dhe Mbretëria e Bashkuar shënuan gjithashtu rritje, duke reflektuar interesin e vazhdueshëm të kapitalit të huaj.
Ndërkohë, investimet nga Qipro u rritën ndjeshëm nga 4 milionë në 10 milionë euro, ndërsa Serbia mbetet në nivele minimale me vetëm 1 milion euro, pa ndryshime krahasuar me fillimin e vitit.
Ekspertët vlerësojnë se këto të dhëna tregojnë rritjen e besimit rajonal dhe forcimin e pozicionit të Shqipërisë si destinacion i qëndrueshëm për investime.
