Dekretimi i ligjit për rivlerësimin/ NAREA: Ka lënë në pritje 500,000 familje për pronat e tyre

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA) ka shprehur shqetësimin për atë që e cilëson si vonesë nga Presidenti në dekretimin e ligjit “Për Rivlerësimin e Pasurisë së Paluajtshme”.

Sipas shoqatës, kjo vonesë po pengon botimin e ligjit në Fletoren Zyrtare, hyrjen e tij në fuqi nga 1 janari 2026, si dhe nxjerrjen e akteve nënligjore, duke krijuar pasiguri dhe tension në tregun e pasurive të paluajtshme.

NAREA thote se mosdekretimi i ligjit ka lënë në pritje rreth 500 mijë familje që presin të rivlerësojnë pronat e tyre sipas vlerës së tregut, si dhe dhjetëra mijëra të tjera që shpresojnë për alternativa më të përballueshme strehimi.

Sipas shoqatës, propozimet për këtë ligj janë dorëzuar prej më shumë se një viti e gjysmë, ndërsa mungesa e një vendimmarrjeje përfundimtare po e zgjat pasigurinë në sektorin imobiliar.

Edhe pse ka shprehur rezerva për taksën 5% mbi banesat dhe ka ngritur pikëpyetje mbi zbatimin e amortizimit 1% në vit sipas vjetërsisë së pronës, NAREA thekson se zvarritja e procesit po krijon pasiguri të mëtejshme në treg.

Shoqata u bën thirrje institucioneve për zgjidhje të shpejtë, duke theksuar se hyrja në fuqi e ligjit është thelbësore për funksionimin normal të tregut të pasurive të paluajtshme.

Ligji për rivlerësimin e pronave u miratua nga Kuvendi më 12 dhjetor me 76 vota pro dhe 22 kundër, por ende nuk është dekretuar nga Presidenti i Republikës.