EKONOMIA RRITET, POR SFIDAT MBETEN/ Muço: Plakja e popullsisë e produktiviteti i ulët, kufizojnë në afatgjatë
Ekonomia shqiptare po shënon rritje, por ajo mbetet e brishtë dhe e përqendruar në pak sektorë. Kështu vlerëson eksperti i ekonomisë Klodian Muço, i cili paralajmëron se pa reforma të thella dhe rritje të produktivitetit, zhvillimi afatgjatë dhe integrimi europian mbeten të rrezikuara.
Ekonomia shqiptare po shënon rritje, por jo në nivelin e nevojshëm për një zhvillim të qëndrueshëm.
Kështu vlerëson eksperti i ekonomisë Klodian Muço, i cili thekson se pas shifrave pozitive dhe gjetjeve të raportit të FMN-së fshihet një ekonomi e përqendruar në pak sektorë.
Një tjetër shqetësim i evidentuar nga raporti i FMN-së është rënia e popullsisë.
Sipas ekspertit, plakja demografike po e çon skemën e pensioneve drejt një raporti 1 me 1, mes kontribuuesve dhe përfituesve.
Pavarësisht progresit të shënuar, Shqipëria vijon të mbetet një ekonomi me produktivitet të ulët. Muço thekson se pa rritjen të ndjeshme procesi i integrimit europian mbetet një sfidë e madhe.
Një tjetër element që kërkon vëmendje, sipas FMN-së, është rritja e shpejtë e kreditimit në sektorin e pasurive të paluajtshme.
Megjithatë, eksperti nënvizon se bankat shqiptare mbeten të mirëkapitalizuara dhe të përgatitura për t’u përballur me rreziqet e mundshme.

