Rama: Rritja ekonomike me 3.75% dhe histeria politike e mediatike
Në nisje të episodit të fundit për këtë sezon të podkastit “Flasim”, Kryeministri Rama bëri një përmbledhje të çështjeve kryesore të javës.
Rama foli për rritjen ekonomike dhe histerinë sicc e quajti ai politike dhe mediatike.
DEKLARATA E RAMËS
Edhe këtë javë zhurma e 700 tenxhereve politike mediatike, ku ziejnë me presion të lartë informacionet e marra në shkelje të ligjit nga kujdestarët e dosjeve e të veprimeve hetimore, nuk la asfare vend për lajmet e mira - paçka se kjo që kaloi ishte edhe javë Krishtlindjesh.
Pikërisht, këtë javë, doli edhe rezultati i tremujorit të tretë të vitit, ku ekonomia shqiptare u rrit me 3.75% - një ritëm rritjeje mbi parashikimin dhe dukshëm më i lartë se sa mesatarja rreth e rrotull nesh, çka konfirmon performancën pozitive të ekonomisë sonë dhe reflekton një zgjerim të qëndrueshëm e të balancuar të aktivitetit ekonomik, të mbështetur nga konsumi, shërbimet, ndërtimi dhe investimet.
Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, turizmi ishte motori kryesor i rritjes ekonomike.
Të ardhurat nga shërbimet e udhëtimit arritën afro 2.3 miliardë euro, vetëm në këtë tremujor, duke çuar suficitin e tregtisë së shërbimeve në rreth 1.9 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 27%. Për ta bërë të prekshme për të gjithë, theksoj se kjo performancë e fortë e shërbimeve ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar dhe në përmirësimin e bilancit të pagesave.
Po ashtu, besimi i investitorëve mbeti i fortë edhe në tremujorin e tretë. Investimet e huaja direkte arritën në rreth 450 milionë euro, me një rritje vjetore prej 10%, të përqendruara kryesisht në sektorë strategjikë si turizmi, pasuritë e paluajtshme, financat dhe energjia.
Jo vetëm kaq, po rritja ekonomike në tremujorin e tretë të vitit 2025 është shoqëruar me përmirësim të tregut të punës. Norma e papunësisë ka mbetur në nivelin 8.1%, por punësimi është rritur në 69.6% dhe pjesëmarrja në forcat e punës ka arritur në 76.5%. Paralelisht dhe përsëri për ta bërë të prekshme gjithçka po them, paga mesatare bruto në Shqipëri u rrit nga 776 euro në 830euro, duke reflektuar rritje të të ardhurave nga puna dhe një përmirësim të mëtejshëm të gjendjes ekonomike të familjeve.

