Dialogu me sipërmarrjen, Rama: Paqja Fiskale sot është ligj dhe duke nga janari 2026 hyn në zbatim

Në nisje të episodit të fundit për këtë sezon të podkastit “Flasim”, Kryeministri Rama bëri një përmbledhje të çështjeve kryesore të javës.

Rama foli për dialogun me sipërmarrjen që ai zhvilloi pak ditë më parë.

DEKLARATA E RAMËS

Një kapitull i ri partneriteti dhe besimi sapo ka nisur me sipërmarrjen, natyrisht mbi themelet që tanimë janë hedhur dhe këtë javë folëm gjerë e gjatë, duke ndarë disa pikëpamje e duke patur në qendër të diskutimit Paqen Fiskale, një zotim i fushatës sonë elektorale, që sot është ligj dhe duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm hyn në zbatim.

Në thelb, paqja fiskale synon të ndërtojë një marrëdhënie të re, të shëndetshme mes administratës tatimore dhe sipërmarrjes. Ajo u jep mundësi ndërmarrjeve, që nuk janë në konflikt me ligjin të vetë-korrigjojnë deklarimet e të shkuarës, t’u rikthehen pasqyrave të mëparshme dhe për çdo korrigjim të paguajnë një tatim fitimi vetëm 5%.

Po ashtu, marrëveshja mes sipërmarrjes dhe administratës mbi tavanin e ri të fitimit vjetor, sjell paqe e qetësi, shmang çdo inspektim dhe ul barrën burokratike, që shpesh peshon më shumë sesa barra fiskale.

Nga kjo nismë presim më shumë formalizim, më shumë energji sipërmarrëse dhe më shumë ndikim direkt në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.Çlirimi i të gjitha sipërmarrjeve nga të gjitha gjobat e vjetra, borxhet e vjetra, sipas skedulës së përcaktuar shkon në këtë drejtim.