PARASHIKIMI I MOTIT/ Situata meteorologjike për sot dhe nesër (27-28 dhjetor)

 


Europa do të dominohet nga masa ajrore të qëndrueshme kontinentale, të cilat do të sjellin mot të kthjellët, por të ftohtë në pjesën më të madhe të kontinentit. Europa Lindore do të përfshihet nga reshje të dendura dëbore, ndërsa brigjet e Turqisë dhe Gadishulli Iberik do të regjistrojnë rrebeshe shiu.

Shqipëria – E Shtunë, 27 Dhjetor

Vendi ynë do të ketë mot kryesisht të kthjellët dhe të ftohtë; vranësirat do të shfaqen kryesisht në zonat malore pa reshje. Temperaturat do të luhaten nga -5°C deri në 15°C. Era do të fryjë veriore–verilindore mbi 50 km/h, duke krijuar dallgëzim deri në 3 ballë.

Rajoni dhe Europa – E Diel, 28 Dhjetor

Europa Lindore dhe Juglindore do të mbeten nën ndikimin e një qendre të fuqishme ciklonare, e cila do të sjellë reshje dëbore dhe temperatura të ulëta, si edhe rrebeshe shiu në brigjet e Detit të Zi.

Pjesa tjetër e kontinentit do të ketë mot të kthjellët dhe të ftohtë, me kthjellime më të theksuara në Ballkan.

Shqipëria – E Diel, 28 Dhjetor

Territori shqiptar do të vijojë me mot të kthjellët dhe të ftohtë; pas mesditës vranësirat do të shtohen në zonat malore pa reshje. Temperaturat do të mbeten të ulëta, nga -4°C deri në 14°C. Era do të fryjë kryesisht veriore deri në 45 km/h, duke gjeneruar dallgëzim mbi 2 ballë.