LINJA E GJELBËR, ZGJIDHJE PËR ANKESAT E KONSUMATORËVE
Në emisionin “ALERT”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u trajtua këtë të premte tema “Ankesat e konsumatorëve në 0800 26 26”, si një mekanizëm kyç për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në Shqipëri.
Fokusi i diskutimit ishte projekti “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i të drejtave të konsumatorëve”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Qendra ALERT në partneritet me Lëvizjen Europiane në Shqipëri. Projekti synon rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve dhe forcimin e mekanizmave për trajtimin e ankesave në nivel kombëtar.
Pjesa e tretë e emisionit iu kushtua një inserti nga aktiviteti i zhvilluar në ambientet e Europe House në Tiranë, ku u prezantuan të dhëna konkrete mbi funksionimin e Linjës së Gjelbër. U bë e ditur se që nga nisja e saj, më 12 shkurt, janë regjistruar rreth 150 ankesa, nga të cilat 71 janë trajtuar, duke reflektuar problematika reale që prekin konsumatorët në sektorë të ndryshëm.
Gjatë diskutimit u theksua se, pavarësisht progresit, mbrojtja e konsumatorit në Shqipëri vijon të përballet me sfida të rëndësishme, veçanërisht në kuadër të procesit të integrimit europian. U vlerësua nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e mekanizmave të kontrollit.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile. Granit Sokolaj, Drejtor Ekzekutiv i Qendrës ALERT, theksoi rëndësinë e Linjës së Gjelbër 0800 26 26 si një mjet funksional për adresimin e ankesave të qytetarëve. Gledis Gjipali, Drejtor Ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, vuri theksin te domosdoshmëria e përputhjes me standardet europiane dhe forcimi i dialogut institucional. Ndërsa Elisa Teneqexhi, Menaxhere Projekti për Sigurinë Ushqimore, Veterinarinë dhe Peshkimin pranë Delegacionit të Bashkimit Europian, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e sigurisë ushqimore. Në të njëjtën linjë, Fatmir Guri, Zëvendësministër i Bujqësisë, nënvizoi nevojën për forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbrojtje të konsumatorit.

