SEPA, NA KURSEN 71 MLN EURO! GET: Ekonomia shqiptare milona euro përfitime nga anëtarësimi
Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA sjell një përfitim prej 71.3 milionë eurosh, duke ulur ndjeshëm kostot e pagesave ndërkufitare për qytetarët dhe bizneset. Sistemi lehtëson transfertat, rrit transparencën dhe vlerësohet se ndihmon drejt integrimit të vendit në tregun europian.
Ekonomia shqiptare pritet të përfitojë rreth 71.3 milionë euro nga anëtarësimi në Sistemin Europian të Pagesave (SEPA), një hap që do të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin e parave mes Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas një studimi të German Economic Team, pjesa më e madhe e përfitimeve vjen nga ulja e tarifave për pagesat e tregtisë së jashtme, që përllogaritet në rreth 62 milionë euro në vit.
Ndërkohë, rreth 9 milionë euro do të kursehen nga remitancat që dërgohen nga emigrantët shqiptarë drejt vendit, sipas raportit
Të dhënat paraprake tregojnë se vetëm në muajin e parë të funksionimit të skemës, janë realizuar transferta me vlerë rreth 600 milionë euro, një tregues i qartë i interesit dhe përdorimit të lartë të këtij mekanizmi financiar.
Sistemi SEPA pritet të ndikojë edhe në formalizimin e ekonomisë, pasi nxit përdorimin e kanaleve bankare dhe rrit transparencën e transaksioneve financiare.
Sipas rregullave të reja, transfertat deri në 20 mijë euro do të kenë një komision maksimal prej 2 eurosh, ndërsa për pagesat deri në 100 mijë euro tarifa do të jetë 0.01 për qind.
Për shumat mbi këtë nivel, komisioni maksimal nuk do të kalojë 25 euro.
Për emigrantët shqiptarë, dërgimi i parave drejt familjeve në Shqipëri do të kushtojë maksimalisht 3 euro, duke e bërë SEPA një lehtësi konkrete dhe një hap të rëndësishëm drejt integrimit ekonomik të vendit me tregun europian.
