UDHËZIMI/ Ministria e Financave ndryshon rregullat për vlerësimin doganor të mallrave dhe automjeteve
Zhdoganimi I makinave të përdorura do të kushtojë më shtrenjë, me hyrjen në fuqi të udhëzimit që rrit me 25 % cmimin e referencës që do të paguhet në dogana
Sipas udhëzimit për automjetet me motor nga 1400 deri në 1900 cc, pragu minimal i zhdoganimit rritet nga 200 mijë lekë në 250 mijë lekë
Për automjetet me motor nga 1900 deri në 2500 cc, vlera e referencës rritet nga 325 mijë lekë në 406 mijë lekë, ose rreth 25% më shumë
Për automjetet me motor nga 2500 deri në 3000 cc, çmimi minimal i zhdoganimit rritet nga 400 mijë lekë në 500 mijë lekë, me një rritje prej 25%
Rritje me rreth 25% janë miratuar edhe për mjetet e transportit. Për kamionçinat dhe furgonët me kapacitet deri në 1.5 tonë, vlera minimale e zhdoganimit rritet nga 400 mijë në 500 mijë lekë, ndërsa për mjetet me kapacitet nga 1.5 deri në 3.5 tonë, pragu minimal shkon nga 600 mijë në 750 mijë lekë.
Ministria e financave thotë se cmimet e reja për mjetet e përdorura bazohet në burime dhe platforma ndërkombëtare të njohura për referencat e tregut
Ky ndryshim vjen pas hyrjes në fuqi të udhëzimit të ri të Ministrisë së Financave, i cili synon të garantojë vlerësim më realist të automjeteve duke sshmangur edhe mosdeklarimin
Rritja e çmimeve të referencës pritet të sjellë dhe një efekt në rritjen e çmimeve finale për automjetet e përdorura që importohen dhe shiten në tregun vendas.
Në anën tjetër, kjo politikë mbështet blerjen e makinave me zero kilometra.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, për periudhën Janar-Nëntor 2025, gati 90 mijë mjete janë regjistruar për herë të pare
Mbi 55.2% kanë moshë 8- 15 vite, 25% mbi 15 vite, 5.1 % 5-7 vite, dhe 14.7 % 0-4 vite.
Korea e Jugut është në krye të listës sa i takon importit, ndjekur nga Gjermania, Italia, Kina dhe Zvicra.
Udhëzimi:
PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË UDHËZIMIN NR. 3, DATË 23.1.2018,
“PËR VLERËSIMIN E MALLRAVE PËR QËLLIME DOGANORE”
Në mbështetje të nenit 102, pika 4, të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë; në zbatim të
ligjit nr. 102/2014, “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe bazuar në pikat
4 dhe 5, të nenit 161, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 651, datë 10.11.2017, “Për dispozitat
zbatuese të ligjit nr. 102/2014, ‘Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë’, të ndryshuar”, me
qëllim lehtësimin dhe zbatimin praktik nga administrata doganore të procedurës dhe metodologjisë
së vlerësimit të mallrave për qëllime doganore, ministri i Financave,
UDHËZON:
Në udhëzimin nr. 3, datë 23.1.2018, “Për vlerësimin e mallrave për qëllime doganore”, të
ministrit përgjegjës për financat, bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë:
1. Në nënpikën 15.1, të pikës 15, bëhen ndryshimet si më poshtë:
a) Në shkronjën “a”, togfjalëshi “Thomson-Reuters” zëvendësohet me fjalën “Refinitiv”;
b) Në shkronjën “b”, fjala “Platts” zëvendësohet me togfjalëshin “S&P Global Commodity
Insights”;
c) Në shkronjën “c”, togfjalëshi “, si “Metal Bulletin”, “Steel Week”” zëvendësohet me
togfjalëshin “dhe lingotave të bakrit, aluminit dhe zinkut të marra nga agjencia kombëtare “Fast
Market” dhe “London Metal Exchange (LME)”;”;
ç) Shkronja “f”, ndryshon si më poshtë:
“Buletine të çmimeve të automjeteve si: “Quattroruote”, “Schwackeliste” dhe site si
“cars.com”, “impact auto”, “auto win”, “dubizzle”,”mobile.de”, “dueruote”;”;
d) Shkronja “g” e parë hiqet.
2. Në nënpikën 15.2, të pikës 15, bëhen ndryshimet si më poshtë:
a) Togfjalëshi “dhe miratohen nga Komisioni ad-hoc në varësi të ministrit të Financave”, hiqet;
b) Pas fjalisë së parë, shtohet fjalia me përmbajtje si më poshtë:
“Drejtoria e Vlerësimit në Qendër i referon komisionit të posaçëm të ngritur për këtë qëllim
nga drejtori i përgjithshëm i Doganave, të shqyrtojë propozimet rast pas rasti dhe vetëm pas
miratimit nga ky komision reflektohen ndryshimet në “Dosjen e të Dhënave të Disponueshme””.
3. Nënpika 15.3, e pikës 15, ndryshon si më poshtë:
“Për artikujt që sigurohen informacione nga burimet e përmendura në nënpikën 15.1, shkronjat
“a”, “b”, “c”, “d” dhe “f”, vendosja dhe rishikimi i çmimeve në “Dosjen e të Dhënave të
Disponueshme”, bëhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pa kaluar në komisionin e
posaçëm për këtë qëllim.”.
4. Nënpika 16.1, e pikës 16, ndryshon si më poshtë:
“16.1/a) Për artikujt e karburanteve të tilla si: benzinë, gazoil, vajgur, jet, lëndë djegëse me
përmbajtje sulfuri, gaz i lëngshëm (butan, propan), biodizel (dhe të gjitha nënproduktet), naftë
bruto, Drejtoria e Vlerësimit në Qendër harton shkresën me çmimet e përditësuara dhe pas
miratimit nga titullari i institucionit ua dërgon degëve doganore dhe strukturave të tjera që ju
nevojitet ky informacion. Përditësimi i këtyre artikujve bëhet çdo ditë pune;
16.1/b) Për artikujt lingota bakri, alumini dhe zinku, Drejtoria e Vlerësimit në Qendër harton
shkresën me çmimet e përditësuara dhe pas miratimit nga titullari i institucionit ua dërgon degëve
doganore dhe strukturave të tjera që ju nevojitet ky informacion. Përditësimi i këtyre artikujve
bëhet çdo ditë pune.”.
5. Nënpika 16.2, e pikës 16, ndryshon si më poshtë:
“Për artikujt grurë, misër, krunde, oriz, sheqer, vaj ushqimor, kafe, bërsi, elb, tërshërë,
produktet e çelikut, hekurit, skrap, llamarina, profile dhe produkte të tjera prej çeliku etj., plehrat
kimike, lëndë e parë plastike dhe bitum, Drejtoria e Vlerësimit në Qendër harton shkresën me
çmimet e përditësuara dhe pas miratimit nga titullari i institucionit ua dërgon degëve doganore
dhe strukturave të tjera që ju nevojitet ky informacion. Afati i përditësimit bëhet çdo 2 javë (fillim
dhe mes muaji).”.
6. Nënpika 16.3, e pikës 16, hiqet.
7. Nënpika 17.1, e pikës 17, ndryshon si më poshtë:
“17.1 Për zhdoganimin e automjeteve, në rastet kur nuk pranohet transaksioni dhe nuk është i
mundur përdorimi i metodave të tjera, vlerësimi bazohet në buletinet dhe site-t e cituara në pikën
15/1/f, në të cilat pasqyrohen çmimet e shitjes në tregjet evropiane.”.
8. Nënpika 17.4, e pikës 17, ndryshon si më poshtë:
“17.4 Vlera për kamionçina, furgona dhe kamionë që gjendet në buletinet dhe site-t e cituara
në pikën 15/1/f, nisur nga marka, modeli dhe viti i prodhimit nuk duhet të jetë më e ulët se 80% e
çmimit të gjendur në tabelë.”.
9. Në pikën 17, shtohet nënpika 17.5 me përmbajtje si më poshtë:
“17.5 Vlerësimi i automjeteve me vit prodhimi para vitit të fundit të publikuar në këto buletine
dhe site nuk mund të llogaritet më pak se çmimet e pasqyruara, si më poshtë vijon:
Për autoveturat çmimet janë:
a) deri në 1400 cc jo më pak se 162 500 lekë;
b) mbi 1400-1900 cc jo më pak se 250 000 lekë;
c) mbi 1900-2500 cc jo më pak se 406 000 lekë;
d) mbi 2500-3000 cc jo më pak se 500 000 lekë;
e) mbi 3000-4500 cc jo më pak se 625 000 lekë;
f) mbi 4500 cc jo më pak se 1 000 000 lekë.
Për kamionçina, furgona dhe kamionë, sipas kapacitetit mbajtës çmimet janë:
a) deri në 1.5 tonë jo më pak se 500 000 lekë;
b) nga 1.5 tonë deri në 3.5 tonë jo më pak se 750 000 lekë;
c) nga 3.5 tonë deri në 10 tonë jo më pak se 1 062 500 lekë;
d) nga 10 tonë deri në 15 tonë jo më pak se 1 250 000 lekë;
e) mbi 15 tonë jo më pak se 1 500 000 lekë.”.
9. Pika 18, hiqet.
Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
MINISTËR I FINANCAVE
Petrit Malaj

