Teliti: Një vit angazhim për konsumatorin, me mbështetje konkrete dhe forcim të institucioneve

Në emisionin “ALERT”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u trajtua këtë të premte tema e “Linjës së Gjelbër 0800 26 26” dhe ankesat e konsumatorëve.

Fokusi i diskutimit ishte projekti “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Qendra ALERT, në partneritet me Lëvizjen Europiane në Shqipëri.

Në kuadër të këtij projekti, Qendra ALERT ka ngritur Linjën e Gjelbër Kombëtare për pranimin dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve, duke ofruar mbështetje, orientim dhe ndërmjetësim për konsumatorët në të gjithë vendin.

E ftuar në studio për të folur mbi ecurinë dhe rezultatet e projektit ishte Ersida Teliti, Drejtore Ekzekutive e Qendrës së Konsumatorit Shqiptar. Ajo theksoi se kjo nismë është pjesë e një përpjekjeje të gjerë për të ndërtuar një mekanizëm funksional dhe të qëndrueshëm në mbrojtje të konsumatorëve, duke forcuar rolin e shoqërisë civile në raport me institucionet publike.

Sipas saj, gjatë 12 muajve të zbatimit, projekti ka përfshirë një sërë aktivitetesh konkrete, të mbështetura financiarisht nga Bashkimi Evropian. Ndër to janë realizuar 10 podkaste informuese, të publikuara në platformat e Qendrës së Konsumatorit Shqiptar, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve mbi të drejtat e tyre dhe mënyrën e mbrojtjes së tyre në praktikë.

Po ashtu, projekti ka përfshirë ofrimin e ndihmës juridike falas, forcimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile dhe monitorimin e 61 bashkive në të gjithë vendin, për të evidentuar problematikat që hasin qytetarët në raport me shërbimet publike dhe tregun.

Në kuadër të kësaj nisme, është zhvilluar edhe një trajnim tre-ditor, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, me fokus në forcimin e kapaciteteve të inspektorëve dhe përmirësimin e praktikave të kontrollit dhe mbikëqyrjes në terren. Sipas drejtueses së projektit, inspektorët janë të përgatitur profesionalisht, por kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe koordinim institucional për të ushtruar në mënyrë sa më efektive detyrat e tyre.

Në përfundim, u theksua se projekti do të vijojë edhe në vijimësi, me synimin për të forcuar dialogun mes institucioneve dhe qytetarëve, për të rritur transparencën dhe për të garantuar një mbrojtje më të fortë dhe më të qëndrueshme të të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri.