Linja e Gjelbër 0800 26 26, zëri i konsumatorit / Teliti: Informimi është çelësi i mbrojtjes së të drejtave
Në emisionin “ALERT”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u trajtua këtë të premte tema e Linjës së Gjelbër 0800 26 26, një mekanizëm i dedikuar për trajtimin e ankesave të konsumatorëve dhe forcimin e mbrojtjes së të drejtave të tyre.
Në fokus të diskutimit ishte projekti “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe fuqizimi i të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti zbatohet nga Qendra ALERT, në partneritet me Lëvizjen Europiane në Shqipëri, dhe synon krijimin e një kanali funksional komunikimi ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve përgjegjëse.
E ftuar në studio ishte Ersida Teliti, Drejtore Ekzekutive pranë Qendrës Konsumatori Shqiptar (QKSH), e cila prezantoi ecurinë e projektit dhe problematikat më të shpeshta që adresohen përmes Linjës së Gjelbër.
Sipas saj, studimet dhe pyetësorët e realizuar tregojnë se niveli i ndërgjegjësimit të konsumatorëve mbi të drejtat e tyre dhe detyrimet e tregtarëve mbetet ende i ulët. Ankesat e depozituara pranë Qendrës ALERT vijnë nga e gjithë Shqipëria dhe pasqyrojnë një gamë të gjerë problematikash, që lidhen si me cilësinë e produkteve dhe shërbimeve, ashtu edhe me mungesën e informacionit të saktë.
Teliti theksoi se informimi është themeli i mbrojtjes së konsumatorit, duke nënvizuar se ekzistojnë disa kategori kryesore qytetarësh:
– konsumatorë të rinj, më aktivë dhe më të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre;
– qytetarë aktivë në rrjetet sociale, por shpesh me informacion të pjesshëm ose të pasaktë;
– si dhe një kategori më e ndjeshme, ku përfshihen të moshuarit dhe fëmijët, që kanë nevojë për mbështetje dhe orientim të shtuar.
Sipas saj, ndonëse shpesh ekziston perceptimi se institucionet nuk reagojnë, praktika tregon se kur qytetarët denoncojnë dhe ndjekin rrugët zyrtare – qoftë drejtpërdrejt apo përmes organizatave të specializuara – reagimi institucional është i mundur dhe në shumë raste edhe efektiv.
