Linja e Gjelbër – zëri i konsumatorit: nga 156 ankesa të paraqitura, 71 janë vlerësuar dhe trajtuar nga Qendra ALERT

Në emisionin “ALERT”, moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u trajtua këtë të premte tema e “Linjës së Gjelbër 0800 26 26” dhe ankesat e konsumatorëve.

Fokusi i diskutimit ishte projekti “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve lokale”, i financuar nga Bashkimi Evropian.

Në kuadër të këtij projekti, Qendra ALERT, në partneritet me Lëvizjen Europiane në Shqipëri, ka ngritur Linjën e Gjelbër Kombëtare për pranimin dhe trajtimin e ankesave të qytetarëve, duke ofruar mbështetje dhe orientim për konsumatorët në të gjithë vendin.

I ftuar në studio për të folur mbi ecurinë dhe rezultatet e këtij projekti ishte Klajdi Tozaj, koordinator i projektit pranë Qendrës ALERT.

Gjatë diskutimit u bë e ditur se, përgjatë gjithë periudhës së funksionimit të linjës, janë regjistruar 156 raste ankese, nga të cilat 71 janë konsideruar të vlefshme dhe janë trajtuar konkretisht nga Qendra ALERT. Jo të gjitha rastet kanë përmbushur kriteret ligjore për ndërhyrje, pasi në disa raste mungonin elementët që përbëjnë shkelje të të drejtave të konsumatorit.

Sipas të dhënave të prezantuara, problematikat më të shpeshta lidhen me shërbimet telefonike, shërbimet turistike, akomodimin, si edhe shërbimet publike, fusha këto që vijojnë të mbeten ndër më të ndjeshmet për qytetarët.

Gjithashtu u theksua se ankesat e trajtuara kanë pasur një shtrirje gjeografike pothuajse në të gjithë territorin e vendit, duke treguar nevojën për informim më të gjerë dhe ndërgjegjësim mbi të drejtat e konsumatorit.

Në përfundim, u nënvizua se për të konsideruar një rast të vlefshëm për trajtim, është e domosdoshme ekzistenca e provave dhe elementëve që vërtetojnë shkeljen e të drejtave të konsumatorit, si mosofrimi i shërbimit, mashtrimi apo mospërputhja me standardet ligjore.