“Linja e Gjelbër” / Muçaj: Mekanizëm kyç për mbrojtjen e konsumatorit dhe forcimin e rolit qytetar në integrimin europian

Në emisionin “ALERT”, të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u trajtua këtë të premte tema e “Linjës së Gjelbër 0800 26 26”, si një mekanizëm kyç për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe trajtimin e ankesave të tyre.

Fokusi i diskutimit ishte projekti “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve”, i financuar nga Bashkimi Evropian.

Në kuadër të këtij projekti, Qendra ALERT, në partneritet me Lëvizjen Europiane në Shqipëri, ka ngritur Linjën e Gjelbër Kombëtare, e cila shërben për pranimin, trajtimin dhe orientimin e ankesave të qytetarëve në të gjithë vendin, duke rritur transparencën dhe mbrojtjen e konsumatorit.

E ftuar në studio për të folur mbi ecurinë dhe rezultatet e projektit ishte Ermelinda Muçaj, Oficere Projekti pranë EMA. Ajo theksoi se platforma nuk synon vetëm mbledhjen e problematikave nga qytetarët, por edhe përfshirjen aktive të aktorëve joqeveritarë në procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

Sipas saj, platforma funksionon si një mekanizëm bashkëpunimi në disa nivele, duke përfshirë diskutimin e kapitujve negociues dhe fazave të procesit të integrimit. Aktualisht, Shqipëria ka hapur disa grupkapituj, ndërsa ende nuk janë publikuar zyrtarisht pozicionet negociuese për secilin prej tyre.

Struktura e platformës përbëhet nga dy nivele kryesore:

Bordi drejtues, i kryesuar nga ministri përgjegjës për çështjet evropiane;

33 tryeza këshilluese, ku secila korrespondon me një kapitull të acquis communautaire dhe drejtohet nga institucioni përgjegjës përkatës.

Për shembull, për Kapitullin 28 – Mbrojtja e Konsumatorit, institucioni përgjegjës është Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, ndërsa për Kapitullin 12 – Siguria ushqimore, shëndeti veterinar dhe fitosanitar, përgjegjësia i takon Ministrisë së Bujqësisë.

Një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj platforme është përfshirja e gjerë e aktorëve: organizata të shoqërisë civile, grupe interesi, biznesi, akademikë dhe pushteti vendor. Aktualisht, janë të përfshira 10 organizata nga 20 të planifikuara, me pritshmëri për zgjerim të mëtejshëm të pjesëmarrjes.

Ky mekanizëm synon të forcojë dialogun, transparencën dhe përfshirjen qytetare në procesin e integrimit europian, duke e vendosur konsumatorin dhe interesin publik në qendër të politikëbërjes.