“Linja e Gjelbër” / Tozaj: Ankesat po trajtohen me ndërmjetësim dhe pa përshkallëzim konfliktesh

Në emisionin “ALERT”, të moderuar nga Granit Sokolaj në Ora News, u trajtua këtë të premte tema “Linja e Gjelbër 0800 26 26”, si një mekanizëm kyç për mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve dhe trajtimin e ankesave të tyre.

Diskutimi u fokusua në projektin “Linja e Gjelbër për Mbrojtjen e Konsumatorit – Siguria ushqimore dhe forcimi i mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve në Shqipëri përmes fuqizimit të OSHC-ve”, i financuar nga Bashkimi Evropian. Projekti zbatohet nga Qendra ALERT, në partneritet me Lëvizjen Europiane në Shqipëri, dhe synon të forcojë mekanizmat e mbrojtjes së konsumatorëve përmes një strukture të aksesueshme dhe funksionale.

I ftuar në studio për të folur mbi ecurinë e projektit ishte Klajdi Tozaj, koordinator projekti pranë Qendrës ALERT. Ai bëri të ditur se deri më tani janë administruar 156 ankesa, nga të cilat 71 janë konsideruar të vlefshme për trajtim.

Sipas tij, 52 prej këtyre rasteve janë zgjidhur me sukses, përmes ndërmjetësimit mes konsumatorëve dhe operatorëve ekonomikë. Procesi ka synuar trajtimin profesional të problematikave, sigurimin e informacionit të plotë për palët dhe gjetjen e zgjidhjeve pa konflikt, duke minimizuar ndikimin negativ dhe duke forcuar besimin e qytetarëve te mekanizmat e mbrojtjes së konsumatorit.

Linja e Gjelbër 0800 26 26 mbetet një mjet i rëndësishëm komunikimi dhe ndërhyrjeje, që u jep qytetarëve mundësinë të raportojnë problematika dhe të kërkojnë zgjidhje konkrete në mënyrë të shpejtë dhe transparente.