Pas molotovëve te Kryeministria, policia ka nisur shoqërimin e disa protestuesve

Menjëherë pas protestës policia ka nisur shoqërimin e disa protestuesve. Nga informacionet e para mësohet se deri tani janë shoqëruar 3 protestues.

Protesta e nisur në orën 18:00 u mbyll rreth orës 20:30.

TENSIONET TE KRYEMINISTRIA

Partia Demokratike zhvilloi pasditen e kësaj të hëne protestën e parë kombëtare pas disa foltoreve të organizuara para Kryeministrisë.

Protesta e opozitës u thirr pas padisë së ngritur nga SPAK ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku.

Ndërsa shkonte drejt përfundimit, protesta u tensionua, ndërsa dhjetëra koktejle molotov janë hedhur në drejtim të Kryeministrisë, duke shpërthyer në flakë.

Tensionet nisën menjëherë pas përfundimit të fjalës së kreut të PD-së, Sali Berisha, nisi hedhja e molotovëve që kanë rrezikuar forcat e rendit që ishin mbledhur kordon në ruajtje të institucionit.

Po ashtu, edhe protestuesit rrezikuan nga hedhja e molotovëve ndërsa njëri prej tyre u përfshi nga flakët për disa momente.

Po ashtu protestuesit u përplasen me forcat e Policisë së Shtetit, pasi hoqën një pjesë të gardhit rrethues të vendosur provizorisht pranë godinës së qeverisë dhe vendosën foto të anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Pas këtyre momenteve tensionesh, protestuesit janë tërhequr nga Kryeministria duke u zhvendosur në bulevard drejt Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkisë së Tiranës duke iu drejtuar Kuvendit dhe duke e përfunduar në selinë e PD-së.

E ndërsa protesta mbaroi, ajo që mbetet e paqartë është aksioni i radhës i opozitës.