SHTYHET VENDIMI/ PS “amniston” deputetët “problematikë”, pranohet kërkesa e Bardhit për të mos penguar pjesëmarrjen te mbledhja për Ballukun (FOTO+VIDEO)
Ka zgjatur pak minuta mbledhja në Komisionin e Etikës, ku mazhoranca ka pranuar kërkesën e kreut të grupit parlamentar të PD-së për ta shtyrë për javën e ardhshme mbledhje, me argumentin se po penalizohet opozita në pjesëmarrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku pritet të shqyrtohet me dyer të mbyllura kërkesa e Prokurorisë së Posaçme pë imunitetin e zv.kryeministres dhe deputetes Belinda Balluku.
Anëtarët e Partisë Demokratike, Oerd Bykykbashi, Saimir Korreshi dhe Blendi Himçi, kanë mbërritur në Kuvend, teksa iu është dashur të qëndrojnë pë pak minuta, pasi mazhoranca pranoi propozimin e Bardhit, duke e shtyrë mbledhjen për të martën e ardhshme.

Përfaqësuesit e opozitës në nisje të saj, kërkuan fillimisht që mbledhja të zhvillohej me dyer të hapura, gjë që nuk u pranua nga mazhoranca.
DISKUTIMET NE MBLEDHJE
Korreshi: "Do të duhet që mbledhja të jetë e hapur. Po kërkoni të përjashtoni 29 deputetë të opozitës pa të drejtë. Kërkoj që të na vini në dispozicion provat dhe që ato të jenë publike".
Gazment Bardhi: "Secili deputet që ka firmosur për pezullimin e mandatit për 60 ditë, 30 ditë apo 10 ditë duhet të tregohen të përgjegjshëm. Të tregohen të përgjegjshëm dhe të paraqesin fakte.
Të mos vijnë këtu dhe të akuzojnë me terma të Sigurimit të Shtetit. Na quajnë grupazh, kur në fakt gjykata e ka treguar se grup i strukturuar kriminal është qeveria e Edi Ramës.
Këtu ju keni përfshirë deputetë që nuk kanë bërë asgjë në Kuvend, por keni dashur të fshini opozitën nga Kuvendi, sepse doni një Kuvend njëpartiak.
Thojeni këtu: qëllim keni pasur pengesën tonë në Këshillin e Imuniteteve, prandaj edhe ua caktuat mbledhjen në orën 9. Kështu që propozoj të shtyhet mbledhja për javën tjetër dhe secili deputet të njihet me provat".

