Qiratë e banesave u dyfishuan në 10 vite, BE ndërmerr hapa ligjorë, Shqipëria ‘rri e vështron’!

E ndërsa Shqipëria feston njërën anë të medaljes, anët pozitive të turizmit në ekonomi, në Europën ku duam të shkojmë vajtohet ana tjetër: pasojat negative të turizmit.

Rritja e kostos së jetesës dhe veçanërisht e qirisë në qytetet e mëdha urbane e ka bërë akoma më të vështirë jetesën për vendasit. Në plan afatgjatë kjo bëhet edhe më e rëndë për të rinjtë shqiptarë që duan ta ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, pasi ndikon në demoralizimin dhe largimin e tyre jashtë, kryesisht në BE.

Në fakt vendet e Bashkimi Europian, përfshirë Italinë dhe Greqinë fqinje ku prej tri dekadave shqiptarët emigrojnë masivisht, po ndërtojnë politika konkrete për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të tyre të cilët janë prekur nga rritja e kostos së jetesës kryesisht e qirave.

E ndërsa Komisioni Evropian po harton legjislacionin e BE-së mbi qiratë afatshkurtra, si pjesë e një “Akti për Strehim të Përballueshëm”, Shqipëria që e ka edhe më emergjente një politikë të tillë ende nuk ka ndërmarrë asnjë nismë.

Plani i BE-së argumenton se presionet për përballueshmëri janë zgjeruar përtej familjeve me të ardhura të ulëta ku përmendet një rritje prej më shumë se 60% të çmimeve nominale të shtëpive në të gjithë BE-në midis viteve 2013 dhe 2024, ndërsa çmimi mesatar i qirave është rritur me rreth 20%, kurse qiratë e banesave të reja po bëhen "dukshëm edhe më të shtrenjta".

Komisioni gjithashtu thekson rënien e lejeve të ndërtimit të banesave (rreth 22% më pak që nga viti 2021) dhe një stok banesash të nën-shfrytëzuar, duke vlerësuar se rreth 20% e banesave janë të pabanuara.

Komisioni i BE-së e strukturon planin rreth katër shtyllave: rritja e ofertës; mobilizimi i investimeve; mundësimi i mbështetjes së menjëhershme gjatë nxitjes së reformave; dhe mbrojtja e atyre që janë më të prekur.

Plani thotë se qiratë afatshkurtra u rritën me pothuajse 93 përqind midis viteve 2018 dhe 2024. Shqipëria si një vend kandidat i BE-së duhet të ishte një hap para për ta trajtuar me seriozitet këtë problematikë kaq të mprehtë sociale.