Guvernatori Sejko raporton për herë të fundit për këtë vit: Norma bazë e interesit për lekun mbetet 2.5%

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot që norma bazë e interesit të mbetet e pandryshuar në nivelin 2.5%.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për shtyp tha se Këshilli Mbikëqyrës vendosi që normat e interesit të depozitës njëditore dhe të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, të mbeten përkatësisht në nivelet 1.5% dhe 3.5%.

Sejko theksoi se “ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar të vendit, mbeten të konsoliduar. Në veçanti, inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë gjatë tremujorit të tretë, por ai vijon të qëndrojë në nivele të ulëta dhe poshtë objektivit tonë. Po ashtu, tregjet financiare kanë qenë përgjithësisht të qeta dhe kreditimi ka ardhur në rritje”.

Sipas Sejkos, “politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka pasur një kontribut pozitiv në këtë ecuri. Reagimi në kohë i saj ka mundësuar kontrollin e presioneve dhe të pritjeve inflacioniste. Po ashtu, fleksibiliteti që kemi shfaqur nëpërmjet koordinimit të vazhdueshëm me politikën fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit, ka mundësuar një ambient monetar akomodues për rritjen e kreditimit, të konsumit dhe të investimeve”, theksoi Sejko.

Kreu i BSH-së u shpreh se rritja ekonomike pritet të luhatet pranë niveleve aktuale gjatë periudhës afatmesme, ndërkohë që inflacioni parashikohet të kthehet në objektiv në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm.

“Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm”, tha Sejko

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

- të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%;

- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%;

- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.