Emigrimi, “plaga” e ekonomisë / Ballesha: 44% e qytetarëve duan të largohen dhe shumë prej tyre nuk planifikojnë kthimin
Ekspertja e ekonomisë Esmeralda Ballesha, e ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë në “Ora News”, foli mbi tendencën e emigrimit në Shqipëri dhe rajon, duke theksuar se një përqindje e lartë e qytetarëve, veçanërisht të rinjve, shprehin dëshirën për t’u larguar nga vendi, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk kanë në plan rikthimin, çka sipas saj e bën situatën edhe më shqetësuese.
"Ne dhe Maqedonia e Veriut ishim dy nga shtetet që kishim një % jashtëzakonisht të madhe. 44% do të thotë që të paktën 1 në 2 persona dëshirojnë që të ikin nga vendi dhe ajo që ishte më shqetësuese ishte fakti që një % e lartë e atyre që donin të iknin nuk donin të riktheheshin.
Do të thotë që nëse një % e madhe e atyre që duan të ikin janë të rinj dhe ndoshta mund të duan të ikin jo vetëm për të jetuar atje por ndoshta dhe për të studiuar, fakti që ndoshta një pjesë e madhe e tyre nuk duan të rikthehen e bën gjendjen më shqetësuese.
Fakti është që duhet analizuar e gjitha, duke parë edhe progresin që ka pasur Shqipëria", u shpreh Ballesha.
