Shfryhet 20% stoku i sherbelës, Gjoka: Pas rënies së çmimit, fermerët braktisën kultivimet

Ashtu siç eksportuesit e sektorit të bimëve mjekësore parashikuan, sivjet ka nisur shfryrja e stokut të lartë të krijuar me mosshitjen e bimës së sherbelës.

Për kryetarin e Shoqatës së Eksporteve të Bimëve Mjekësore dhe Aromatike Filip Gjoka stoku i lartë i sherbelës erdhi nga mbiprodhimi, pasi fermerët kultivuan pa planifikim dhe në mungesë së studimeve të kërkesës së tregut.

Për rrjedhojë mbiprodhimi nuk lejoi rritjen e çmimit të grumbullimit, ndërsa mosndryshimi i kërkesës jashtë ndikoi në mbajtjen e çmimeve të ulëta të shitjes për eksport.

Zoti Gjoka thotë se për 2025 stoku i sherbelës së pashitur ka rënë rreth 20% krahasuar me vjet e ndikuar nga pakësimi i prodhimit.

“Stoku i bimëve mjekësore në tërësi është ulur, sidomos për sherbelën që krahasuar me vitin e kaluar ka rënë 20%. Faktorë që kanë ndikuar në uljen e stokut është rënia e prodhimit jo vetëm nga braktisja e fermerëve për prodhimin ku pas tkurrjes së çmimit filluan të mos shfaqin interes për kultivim, por edhe se një pjesë e tij u dëmtua nga temperaturat e larta.

Sivjet çmimi i sherbelës për grumbullim në eksport është rritur nga 80 lekë për kg që u shit vjet, në 120 lekë për kg, rreth 50% nga mungesa e prodhimit”.

Kërkesa jashtë rrit eksportet dhe çmimet e bimëve mjekësore deri 10% për janar-tetor

Edhe Kujtim Zere drejtuesi i kompanisë “Albanian Herb” më herët parashikoi se që stoku i sherebelës do të nisë të shfryhet nga 2025, pasi rënia e çmimit të bimës në grumbullim për eksport zbehu interesin e fermerit për kultivim.

“Bima e sherbelës nuk po kultivohet në sasi të lartë. Çmimi do të vijojë të mbetet i lirë, derisa oferta në treg të pakësohet. Stoku i sherbelës ka qenë i lartë dhe ky është një tjetër faktor ndikues te pakësimi i çmimit. Parashikojmë që nga viti 2025 të nisë shfryrja e stokut, pasi ka nisur edhe rënia e kultivimeve”, pohoi ai më herët.

Vjet stoku i pashitur i sherbelës u rrit 1.5 herë brenda 6 muajve për shkak të mungesës së shitjeve nga rënia e çmimeve. Rënia e kërkesës për 2024 solli edhe përgjysmim të çmimit të shitjes. Nga 160 lekë për kg, për eksport sherbela u kërkua me çmim 80 lekë për kg.