Turizmi vijon rritjen, më shumë italianë dhe gjermanë vizituan vendin në tetor
Turizmi në Shqipëri vijon rritjen, ndërsa zhvillimi i zonave bregdetare dhe i shërbimeve hoteliere po kontribuon në zgjatjen e qëndrimeve dhe përmirësimin e shfrytëzimit të kapaciteteve.
Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), vizitorët gjithsej në muajin tetor u rritën me 39,1%, krahasuar me tetorin e vitit të shkuar, ku vizitorët jorezidentë shënuan një rritje prej 55,4%, ndërsa vizitorët rezidentë u rritën me 5,8%.
Sa i përket netëqëndrimeve, ato u rritën me 17,4%. Rritja për vizitorët jorezidentë ishte 26%, ndërsa netëqëndrimet e vizitorëve rezidentë shënuan një ulje prej 3,1%.
Rritja më e madhe e vizitorëve jorezidentë u evidentua në zonat bregdetare me 73,6% dhe në hotelet dhe akomodimet e ngjashme me 54,4%, duke treguar një interes të shtuar për turizmin detar dhe ofertat e hotelerisë.
Të dhënat tregojnë se 52% e vizitorëve të huaj ishin nga Kosova, Italia, Gjermania, Franca e Mbretëria e Bashkuar. 14% e vizitorëve të huaj që u akomoduan në vendin tonë ishin nga Kosova, ndërsa Italia dhe Gjermania zunë 13 % secila. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kontribuuan me përkatësisht 7% dhe 5%.
Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti 31,6%, krahasuar me 27,7% në tetor 2024, duke treguar një përmirësim të treguesve të sektorit të akomodimit.
Shqipëria ka pritur 11,1 milionë vizitorë të huaj, duke regjistruar një rritje prej 6,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

