Sejko: Ushqimet dhe qiratë ndikuan në rënien e inflacionit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot në një konferencë për shtyp se “inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një vlerë mesatare prej 2.2% gjatë muajve tetor e nëntor, duke shënuar një rënie të lehtë nga tremujori i tretë.

Sejko theksoi se “Kjo ecuri u diktua më së shumti nga ulja e inflacionit të artikujve ushqimorë. Paralelisht me to, rritja e shpejtë e çmimit të qirasë u frenua në muajin nëntor, kontributi negativ i inflacionit të naftës u zbeh plotësisht, ndërsa inflacioni i artikujve të tjerë rezultoi përgjithësisht i qëndrueshëm.

“Në terma makroekonomikë, presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të jenë në linjë me objektivin e stabilitetit të çmimeve, duke pasqyruar një ekuilibër më të mirë të kërkesës dhe ofertës në tregun e produkteve. Nga ana tjetër, presionet e huaja janë dobësuar më tej, në pasqyrim të rënies së çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare dhe mbiçmimit – ndonëse më të ngadaltë – të Lekut”, nënvizoi Sejko.

Kreu i BSH-së tha se “në reflektim të këtyre zhvillimeve, inflacioni i brendshëm dhe ai bazë janë rritur gjatë vitit, duke qëndruar rreth niveleve mesatare 3.1-3.5% në muajt tetor-nëntor, ndërkohë që inflacioni i importuar është në territor negativ dhe ai afatshkurtër ka zbritur në minimumet e tij historike”.