Thiago Silva lë Fluminense-n dhe mendon rikthimin te Milani për Kupën e Botës
Mbrojtësi brazilian, Thiago Silva, duket se ka mbyllur eksperiencën e tij në Brazil me ndeshjen e kthimit të gjysmëfinales së Copa do Brasil, të humbur ndaj Vasco da Gama, dhe synon një rikthim në Itali.
Sipas Globo Esporte, Silva i ka dhënë lamtumirën shokëve të skuadrës pas përfundimit të gjysmëfinales, duke menduar tashmë për një rikthim te Milani.
Qëllimi i tij kryesor është të luajë të gjitha mundësitë e mbetura për ta bindur trajnerin Carlo Ancelotti ta grumbullojë për Kupën e Botës 2026.
Nga njëra anë, braziliani dëshiron të kthehet në Evropë për t’u afruar me familjen dhe fëmijët, të cilët kanë mbetur në Londër pas largimit nga Chelsea.
Nga ana tjetër, ai shpreson të luajë për herë të fundit në një Botëror para se të mbyllë karrierën.
Thiago Silva dëshiron të kthehet te Milani, klubi që e bëri të madh, por ekzistojnë shqetësime nga drejtuesit e klubit.
Mosha 41-vjeçare e mbrojtësit shqetëson Menaxherin Gerry Cardinale, që kërkon një profil më të ri dhe një rezervë për mbrojtjen, jo një lojtar kryesor si Silva.
Prania e tij mund të prishë ekuilibrin e arritur me Massimiliano Allegri-n dhe të ndryshojë hierarkinë e skuadrës, ndaj edhe vullneti i lojtarit mund të mos mjaftojë për rikthimin.
