Rudi Vata zbulon të ardhmen e Rocco-s: Mund të vijë te Shqipëria, por...

Rudi Vata, ish-futbollist dhe kapiten i Kombëtares shqiptare, është kontaktuar nga FSHF për të diskutuar mundësinë që i biri, Rocco Vata, të luajë me fanellën kuqezi.

Ai ka folur në telefon me zyrtarin e Federatës, Tefik Osmani, për të kuptuar qëndrimin e Roccos mbi një transferim të mundshëm te Shqipëria.

“Të jem i sinqertë, për herë të parë para 3 javësh, isha në Londër, më ka marrë Tefik Osmani si përfaqësues i FSHF-së.

Më ka pyetur për situatën e djalit dhe i kam thënë që dera është e hapur, për të folur dhe marrë vendimin e duhur,” ka thënë Vata.

Megjithatë, trajneri dhe ish-lojtari i njohur thekson se konkurrenca është e fortë: “Besoj se interesi për djalin tim nuk mund të jetë shumë i madh pasi ka lojtarë si Muçi në superformë, apo Anis Mehmeti, këto janë fakte.

Por Rocco është plotësisht shqiptar dhe i talentuar.”

Kjo deklaratë lë të kuptohet se mundësia e kalimit të Roccos te Kombëtarja Shqiptare është reale, por sfida kryesore mbetet konkurrenca në sulm dhe vendimet strategjike të trajnerëve.

Duhet theksuar se Rudi Vata është prej shumë vitesh kritik i ashpër i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe gjithmonë është shprehur se zyrtarët e FSHF-së nuk e kanë kontaktuar kurrë për të ardhmen e djalit të tij, por në këtë prononcim të fundit, ish-futbollisti lë të hapu mundësinë që djali i tij të heqë dorë nga Irlanda dhe të mbrojë ngjyrat kuqezi.