CITY VIJON NDJEKJEN E ARSENALIT/ “Cityzens” mposhtin 3-0 Crystal Palace

Manchester Siti vijon të ndjekë Arsenalin. Skuadra e Pep Guardiolës mposhti 3 me 0 Kristal Palas dhe ngushton diferencën me topçinjtë në vetëm dy pikë. Vijon të surprizojë Sandërlendi që mundi Njukasëll

Manchester ka marrë fitoren e pestë radhazi duke vijuar të mbajë ritmin e Arsenalit kryesues. Qytetarët mposhtën 3 me 0 Kristal Palace në transfertë në ndeshjen e vlefshme për javën e 16 të premier ligë. Skuadra e Pep Guardiolës dominoi sfidën, duke konfirmuar formën e mirë në kampionat.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 41-të, me Haland që shënoi me kokë.

Skuadra e Pep Guardiolës mbajti të njëjtin ritëm edhe në pjesën e dytë, duke arritur të dyfishojë rezultatin me Fil Foden 20 minuta nga fundi.

Sfida u vulos nga Haland, i cili u tregua i saktë nga pika e bardhe e penalltisë. Triumfi e ngjit Manchester sitin në vend të dytë me 34 pikë, 2 më pak se Arsenali që kryeson kampionatin anglez.

Nuk ka ndërmend të ndalet as Sandërlend. Skuadra e Xhakës mori një tjetër fitore, teksa mposhti 1 me 0 Njukasëll.

Autogoli i miqve i dha tre pikët Sandërlendit që është surpriza e këtij sezoni, teksa ndodhet në vendin e 7-të, vetëm dy pikë larg vendit të katërt që mbahet nga Chelsea.

Disfatë ka pësuar Totenhemi. Spursat u mposhtën 3 me 0 nga Notingem në transfertë. Hodoi shënoi dopjetë, ndërsa goli tjetër u shënua nga Sangare.

Në sfidat e tjera, Uest Hem u mposht 3 me 2 nga Aston Vila,ndërsa Brendford barazoi 1 me 1 me Lids. Pas 16 javësh, Arsenal udhëheq premier ligën me 36 pikë, 2 më shumë se Manchester Siti.

Vendi i tretë mbahet nga Aston Vila e shkëputur 5 pikë nga Chelsi që renditet i katërti. Ndërkaq, Uolves mbyll klasifikimin me vetëm 2 pikë, ndërsa Bërnlej dhe Uest Hem janë dy ekipet e tjera që rrezikojnë rënien nga Premier Liga.