Serie A/ Milani ndalet në barazim nga Sassuolo, Udinese mposht Napolin, ''buzëqesh'' Interi
Milani është ndalur nga Sasuolo në ndeshjen e vlefshme për javën e 15-të në Serinë A.
Dueli u mbyll në barazimin 2-2, ndërsa kuqezinjve iu anuluan edhe 2 gola të Pulisiç dhe Loftus-Çik.
Të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë me Kone dhe më pas Bartesagi barazoi shifrat duke e mbyllur në 1-1 pjesën e parë.
Pjesa e dytë nisi direkt me gol nga Bartesagi i cili realizoi dopietë. Por Sasuolo nuk u dorëzua duke barazuar shifrat në të 77-ën.
Kështu Milani del me vetëm 1 pikë nga “San Siro” dhe rrezikon të humbasë kreun e Serisë A.
Kjo për shkak se Interi mund të fitojë në ndeshjen e sotme dhe t’ia rrëmbejnë vendin e parë.
Ndërkohë në ndeshjen tjetër Udinese surprizoi Napolin duke e mposhtur 1-0, duke i shkaktuar një ndalesë të rëndësishme skuadrës së drejtuar nga Antonio Conte.
Humbja i kushtoi shtrenjtë Azzurrëve, të cilët nuk arritën të përfitonin nga barazimi i Milanit ndaj Sassuolos për të marrë kreun e renditjes, duke i hapur kështu rrugën Interit.
Pjesa e parë u karakterizua nga ritëm i ulët dhe pak raste shënimi, me të dyja skuadrat të përqendruara kryesisht në fazën mbrojtëse.
Udinese e nisi më mirë takimin, ndërsa Napoli reagoi duke rrezikuar portën e Okoye, por pa sukses. Edhe friulianët patën një rast të mirë me Ekkelenkamp, por Milinkovic-Savic ishte i vëmendshëm.
Në fraksionin e dytë loja mori më shumë intensitet. Udinese kaloi në avantazh në minutën e 52-të me Davis, por goli u anulua pas rishikimit në VAR për pozicion jashtë loje.
Skuadra vendase vijoi të shtyjë përpara dhe u ndal nga traversa në minutën e 59-të pas një goditjeje të fuqishme të Piotrowskit.
VAR ndërhyri sërish në minutën e 69-të, duke anuluar një tjetër gol për Udinesen, këtë herë për faull në ndërtimin e aksionit.
Megjithatë, këmbëngulja e friulianëve u shpërblye në minutën e 73-të, kur Ekkelenkamp realizoi një gol spektakolar me një goditje të saktë nga distanca, duke mposhtur Milinkovic-Savic.
Në minutat e fundit, Napoli pati mundësi të arta për të barazuar rezultatin, fillimisht me Hojlund që gaboi nga afër, dhe më pas me Lucca që goditi shtyllën e jashtme, por pa arritur të shmangë humbjen.
