Shqipëri-Greqi, bashkëpunim për rritjen e investimeve
Drejtoresha e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA) Laura Saro u takua sot me presidentin e Enterprise Greece dhe sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, Dimitris Skalkos, si dhe përfaqësuesen e ambasadës së Greqisë, Maria Koumoutsakou.
Takimi riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes dy institucioneve, të formalizuar përmes Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU), me fokus shkëmbimin e përvojave dhe praktikave më të mira në fushën e promovimit të investimeve.
Gjatë diskutimeve, palët vlerësuan mundësitë për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, rritjen e flukseve investuese dhe zhvillimin e projekteve të qëndrueshme, të cilat kontribuojnë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në nxitjen e rritjes ekonomike rajonale.
Sipas të dhënave zyrtare, në mesin e këtij viti stoku i investimeve greke në Shqipëri arriti vlerën e 267 milionë eurove. Ndërkohë, të dhënat e INSTAT-it tregojnë se në fund të 10-mujorit të këtij viti eksportet shqiptare drejt Greqisë kapën vlerën e 19,7 miliardë lekëve, ndërsa importet nga Greqia u llogaritën në rreth 59,3 miliardë lekë.
