SHIFRAT/ Mbi 297 mijë automjete kryen kontroll teknik këtë vit
Mbi 297 mijë mjete kanë kryer testin e kontrollit teknik për periudhën janar-nëntor 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Sipas DPSHTRR-së, një pjesë e konsiderueshme e automjeteve që nuk plotësonin kriteret e sigurisë janë riparuar dhe rikthyer më pas në qarkullim, duke garantuar që standardet e sigurisë të jenë më të larta dhe mjetet më të besueshme në rrugë.
Paralelisht, bën të ditur DPSHTRR-ja, 7859 mjete të vjetra janë çregjistruar përfundimisht gjatë kësaj periudhe. Ky proces konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt uljes së ndotjes, çlirimit të hapësirave publike nga automjetet e amortizuara dhe përmirësimit të sigurisë së përgjithshme rrugore.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të kryejnë kontrollin teknik në kohë, duke theksuar se “siguria nis nga mjeti i kontrolluar”.
Për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve, rezervimi i takimeve kryhet lehtësisht online përmes platformës e-Albania, duke shmangur radhët dhe duke e bërë procesin më të shpejtë.
Kontrolli periodik i mjeteve mbetet një nga mekanizmat kryesorë për reduktimin e aksidenteve dhe garantimin e një transporti më të sigurt e më të qëndrueshëm.


