PROJEKTLIGJ PËR KRIPTO-ASETET/ Ekspertët: Do të të sjellë rregullimin e shumëpritur të tregut
Ministria e Ekonomisë ka publikuar për konsultim projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, që synon të vendosë rregulla të qarta, të forcojë mbikëqyrjen dhe të parandalojë pastrimin e parave. Eksperti i IT-së, Ardit Gavani, thotë se ligji do të licencojë kompanitë që ofrojnë shërbime me kriptovaluta dhe do të rrisë sigurinë për përdoruesit ku pritet të sjellë një treg më të sigurt dhe të kontrolluar.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka publikuar për konsultim projektligjin Për Tregjet e Kripto-Aseteve, i cili synon të rregullojë në mënyrë të plotë emetimin, tregtimin dhe shërbimet e lidhura me asetet digjitale.
Eksperti i IT-së Ardit Gavani vlerëson se miratimi i projektligjit do të sjellë një rregullim të shumëpritur të këtij tregu në Shqipëri.
Ai shton se kriptovalutat janë një formë moderne parash, tashmë e përhapur globalisht, dhe secila prej tyre ka bursën e vet.
Sipas tij, një këshillë e zakonshme për investitorët është të blejnë kur çmimi është i ulët dhe të shesin kur çmimi ngrihet, pasi tendenca afatgjatë e shumë prej tyre është rritja. Megjithatë, Gavani paralajmëron se në Shqipëri kriptovalutat ende nuk taksohen dhe janë të parregulluara, çka i bën të vështira për t’u gjurmuar dhe shpeshherë të rrezikshme për përdoruesit që nuk njohin mjaftueshëm tregun.
Projektligji i ri pritet të krijoje kompani të licencuara, standarde sigurie dhe rregulla të qarta për investitorët dhe ofruesit e shërbimeve.
