VIDEO/ Lumi i Borshit në proces rehabilitimi për sigurinë e zonës

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, inspektoi sot punimet për rehabilitimin e lumit të Borshit në Himarë, një projekt i kërkuar nga Bashkia Himarë dhe i mbështetur nga qeveria, që synon rritjen e sigurisë së komunitetit dhe mbrojtjen afatgjatë të tokave të kultivuara.

Në vizitë, ministri u shoqërua nga kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, deputeti Damian Gjiknuri dhe drejtori i Drejtorisë së Ujësjellësit dhe Kanalizimeve në Fier. Projekti përfshin ndërhyrje në 570 metra të shtratit të lumit, duke frenuar erozionin dhe duke mbrojtur 2,7 km² tokë bujqësore dhe zona të banuara përreth.

Salla theksoi se projekti kontribuon në sigurinë e komunitetit dhe zhvillimin afatgjatë të bujqësisë, duke qenë pjesë e strategjisë qeveritare “Bujqësia 2030”. Ai shtoi se rehabilitimi i kanaleve, digave dhe lumenjve është thelbësor për reduktimin e dëmeve nga përmbytjet dhe për krijimin e kushteve më të favorshme për zhvillimin bujqësor.

Kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, vuri në dukje se projekti ishte një kërkesë e hershme e komunitetit dhe tani po realizohet falë bashkëpunimit mes pushtetit lokal dhe qendror. Punimet vijojnë dhe pritet të përfundojnë sipas afateve të planifikuara, duke sjellë përfitime të qëndrueshme për zonën dhe bujqësinë lokale.