RRITJE ÇMIMESH NË PRAG FESTASH/ Qendra e Konsumatorëve: Fenomeni i pranishëm. 340 ankesa në 10 ditë

Ndërsa festat e fundvitit shoqërohen me oferta të shumta, nuk mungojnë edhe abuzimet me çmimet, duke sjellë një rritje të ankesave nga konsumatorët. Sipas Qendrës së Konsumatorëve Shqiptarë, vetëm në 10 ditët e para të dhjetorit janë regjistruar 340 ankesa në të gjithë vendin, ndërsa kërkohet ndërhyrje dhe monitorim më i fortë nga institucionet.

Në prag të festave të fundvitit, qytetarët po përballen me rritje të ndjeshme të çmimeve të produkteve ushqimore.

Hasan Stafa, drejtori i Qendrës së Konsumatorëve Shqiptarë, bëri me dije se gjatë 10 ditëve të para të dhjetorit janë regjistruar 340 ankesa nga të 12 qarqet e vendit, ku Tirana kryeson me numrin më të lartë të tyre.

Stafa theksoi ndër produktet që po shtrenjtohen janë pulat dhe gjelat e detit me rritje prej 20-35%, si dhe produktet me origjinë shtazore dhe nënproduktet e mishit.

Stafa ben thirrje që autoritetet të dalin e të monkitorojnë situatën për të shmangur rritje të paarsyeshme të kostos së jetesës në prag të festave.