12 MIJE EURO PËR T’U BËRË DEPUTET/ Shpenzimet zgjedhore rrisin barrën për kandidatët
Në Kosovë, kostoja për të kandiduar si deputet është rritur ndjeshëm. Raporti i ri tregon varësinë e lartë nga financimi personal dhe pabarazitë gjinore. Gratë dhe të rinjtë shpesh përballen me shpenzime më të larta për të konkurruar. Për të qenë deputetë dhe jo vetëm kostoja nis nga 9 mije euro.
Shpenzimet për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë rritur dukshëm. Raporti i publikuar nga organizata të pavarura tregon se mesatarisht një kandidat shpenzon mbi 9 mijë euro, ndërsa kandidatët fitues shpenzojnë më shumë se 12 mijë euro gjatë fushatës.
Analiza tregon se gratë shpesh shpenzojnë më shumë për të konkurruar, duke u mbështetur në burime personale apo huamarrje nga të afërmit.
Kjo rrit pabarazinë gjinore dhe krijon barriera për pjesëmarrjen e barabartë në politikë. Rritja e kostove lidhet edhe me përdorimin e medias sociale dhe marketingut digjital, që janë bërë pjesë thelbësore e fushatave moderne. Kandidatët duhet të investojnë në promovim, staf dhe organizim të ngjarjeve për të arritur votuesit.
Raporti tregon se kandidatë me shpenzime më të larta kanë më shumë gjasa të fitojnë ulëse. Ndërsa ata që shpenzojnë më pak hasin vështirësi për të konkurruar efektivisht.
Ekspertët vënë në dukje se ky trend rrit barrën për të rinjtë dhe krijon një skenar ku financimi personal shpesh është vendimtar për suksesin. Kjo sfidë ngre pyetje mbi integritetin e konkurrencës dhe mundësitë e barabarta për të gjithë kandidatët.
Shpenzimet e larta zgjedhore, varësia nga financimi personal dhe pabarazia gjinore mbeten sfida kryesore për demokracinë në Kosovë. Analistët theksojnë nevojën për masa që të lehtësojnë qasjen e barabartë dhe të sigurojnë konkurrencë të ndershme.

